23:01 / E mërkurë, 20 Shtator 2017

Pas mesnate fillon fushata, KQZ tregon se deri ku kanë arritur përgatitjet

Pas mesnate fillon fushata, KQZ tregon se deri ku kanë arritur përgatitjet

Ka mbetur vetëm edhe një orë deri në fillimin e fushatës zgjedhore për zgjedhjet lokale, teksa nga  Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është bërë e ditur se janë duke vazhduar me përgatitjet për organizimin e zgjedhjeve të cilat do të mbahen me 22 tetor.

Zgjedhjet Lokale në vend pritet të zhvillohen në gjithsej 38 komuna ku edhe do të vendoset për të parin e tyre.

Sipas zëdhënësit të KQZ-së, Valmir Elezit, shumë prej periudhave të këtij procesi tashmë kanë përfunduar.

“Kanë mbetur edhe një muaj deri në ditën e zgjedhjeve dhe sot mund të themi se shumë prej periudhave të këtij procesi kanë përfunduar dhe disa të tjera janë në vazhdim e do të përmbyllen ditëve apo javëve që vine”, ka thënë Elezi për Indeksonline.

Gjithashtu, ai ka shtuar se së shpejti KQZ do të bëjë edhe certifikimin e Listës Përfundimtare të Votuesve ku do të dihet saktë numri i tyre për secilën komunë.

“KQZ, së shpejti do të bëjë edhe miratimin e dizajnit dhe përmbajtjen e fletëvotimeve për secilën komunë”, ka shtuar Elezi.

Ndryshe gjatë ditës së djeshme Indeksonline ka raportuar se janë mbi 12 mijë aplikacione për regjistrim nga ata që jetojnë jashtë Kosovës përderisa në zgjedhjet e përgjithshme ishin pranuar mbi 20 mijë aplikacione.

Gjithashtu nga KQZ është bërë thirrje për Subjektet Politike që të respektojnë plotësisht detyrimet që dalin nga Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe ato Lokale dhe Rregullat Zgjedhore, pasi konsiderohet se mbarëvajtja e fushatës zgjedhore i sherbet të gjithë procesit zgjedhor.

Zgjedhjet Lokale vijnë pak muaj pas atyre të përgjithshme në vend, të cilat vendosën për qeverisjen e re të shtetit të Kosovës./Indeksonline/

Lexo të tjera