07:35 / E mërkurë, 17 Maj 2017

PD s'ka ende përgjigje, shtyhet deklarata e Bashës për ofertën

PD s'ka ende përgjigje, shtyhet deklarata e Bashës për ofertën

E marta ishte një ditë e çuditshme politike. Opinioni priste një reagim të opozitës, lidhur me ofertën amerikane për ringjalljen e paketës MckAllister.

Gjatë gjithë ditës Lulzim Basha ka hyrë dhe dalë disa herë nga zyra e Sali Berishës dhe është takuar tre herë me aleatët. Kaq mjaftoi që mediat të shihnin me optimizëm arritjen e një marrëveshjeje. Selia e kryeministrit ishte më e qetë. Në të hyri vetëm një herë ambasadori Donald Lu. Largimi i ndihmës-sekretarit Yee duket se i la atij barrën e rëndë të negocimit, por sipas maxhorancës në fakt nuk pati asnjë negocim.

Burime nga PS i thanë TCH se në selinë rozë është pritur si një shenjë inkurajuese, fakti që Basha e ka braktisur qeverinë teknike dhe republikën e re, duke treguar gatishmëri për të marrë pjesë në zgjedhje. Për sa i përket negociatave, ndryshe nga çfarë është thënë gjatë gjithë ditës në media, sot nuk ka pasur asnjë negociatë.

Burimi tha se Kryeministri Rama kishte ngarkuar një grup pune për të shqyrtuar paketën e ashtuquajtur McAllister+Rama, e cila i është vënë dje në tryezë PD-së dhe aleatëve. Është e qartë se palët janë ende shumë larg dhe optimizmi i mediave nuk përkon me distancën mes tyre, përfundonte burimi.

Zhvillimet e pasdites së te hënës provuan se kjo ishte e vërtetë. Shpejt u duk se çështja e datës së zgjedhjeve ishte një pikë ku palët nuk binin dakord. Nga selia blu dolën informacione se PD mund të pranonte paketën McAllister +Rama, pra një zv/kryeministër, katër ministra dhe disa lëshime të tjera. Këto paketa nuk kishin të përfshira as numërimin e as votimin elektronik. 

Por selia blu u duk se nuk dorëzohej për numërimin dhe identifikimin biometrik të votuesve. Në këtë logjikë, informacionet nga partia demokratike flisnin për një afat të shtyrjes së zgjedhjeve. Megjithëse nuk u duk se kishte një afat të caktuar, PD  preferon vjeshtën, por nga qeveria burime pohonin se kushtetutshmëria e datës ishte e panegociueshme. Pasdite vonë, kryeministri la Tiranën dhe postoi foto nga Razma, në një shenjë se ai, ashtu si ndërkombëtaret, po priste përgjigjen e Lulzim Bashës. 

Kreu i PD-së thirri në mbrëmje takimin e tretë me aleatët. Ishin pikërisht aleatët që u thanë gazetarëve në mbrëmjen e së martës, se opozita ishte e gatshme të votonte edhe vettingun. Por megjithatë partia demokratike dhe opozita nuk dolën me një qëndrim zyrtar për këtë. Pak para mesnatës së ditës së martë, dhe orësh të tëra pritjeje, selia blu njoftoi se nuk do kishte për këtë ditë, një deklaratë zyrtare prej saj. Si përfundim, me gjithë afatin 24 orësh, përgjigja që prisnin amerikanët nga Lulzim Basha, nuk erdhi..

Top Channel kontaktoi edhe Lulzim Bashën, edhe Donald Lu, por deri në orët e para të mëngjesit nuk morëm përgjigje, nëse amerikanët kishin marrë apo jo përgjigjen e kërkuar nga Partia Demokratike.
 
E mërkura ndoshta do jetë dita kur opozita do të sqarojë pozicionin e saj zyrtarisht, për ofertën e zëvendës-ndihmë sekretarit Yee dhe ndoshta kjo do të sqarojë edhe nëse do ketë një shpresë tjetër për një ditë tjetër negociatash apo ndërmjetësimi.

Lexo të tjera