11:09 / E premte, 08 Shtator 2017

Plani amerikan për t’i siguruar Kosovës ulëse në OKB

Plani amerikan për t’i siguruar Kosovës ulëse në OKB

Mbase Kosova nuk do të mund të sigurojë për një kohë anëtarësimin në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, për shkak se në Këshillin e Sigurimit shtetet themeluese kanë të drejtën e vetos, por Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë në plan që të dërgojnë një rezolutë në Asamblenë e Përgjithshme, duke anashkaluar Këshillin, me anë të së cilës, Kosovës do t’i mundësohej një ulëse si vëzhguese në OKB.

Ky është një plan amerikan që mbështetet nga Familja Clinton dhe sponsorizohet nga lobistët shqiptarë në Amerikë, shkruan gazeta serbe Telegraf, njofton Klan Kosova.

“Plani është që Kosova të fitojë statusin e vëzhguesit në modelin e Palestinës”, thuhet në këtë shkrim.

Sipas të njëjtit shkrim, SHBA-të janë shumë të interesuara, madje edhe më shumë se Kosova, që të bëhen pjesë e dialogut në Bruksel mes Kosovës e Serbisë.

Telegraf shkruan edhe për një letër të kongresmenit amerikan, Eliot Engel, që ia ka dërguar, Federica Mogerinit, ku thuhet se “Serbia nuk është gati për BE”.

Kjo po bëhet, sipas gazetës, që të ngadalësohet rruga e Serbisë në BE, derisa Kosova të fitojë ulësen e saj në OKB.

Stefan Surliq, një profesor i shkencave politike, thotë për gazetën se për shkak të investimit të madh të SHBA-ve në shtetin e Kosovës dhe afrimit të fundit të dialogut të Kosovës me Serbinë “Uashingtoni ka arsye për t’u bërë pjesë formale e negociatave dhe marrëveshjes përfundimtare”.

“Para së gjithash, iniciativa për rezolutën duhet të paraprihet nga një luftë serioze diplomatike  e Serbisë për të siguruar votat e dy të tretave të shteteve anëtare të OKB-së”.

“Fakti i thjeshtë se më shumë se dy të tretat e shteteve të botës do ta njihnin Kosovën si një shtet të veçantë do të nënkuptonte humbje për Serbinë dhe presion shtesë për koncesione ndaj Prishtinës”, thotë ai.

Lexo të tjera