15:23 / E premte, 07 Korrik 2017

Procedurat burokratike ligjore shtyjnë rezultatin e zgjedhjeve

Procedurat burokratike ligjore shtyjnë rezultatin e zgjedhjeve

Me 11 korrik bëhen një muaj që kur Zgjedhjet Parlamentare janë mbajtur në Kosovë, me ç’rast qytetarët kanë votuar për atë që do t’i përfaqësoj për 4 vite të ardhshme.

Mirëpo, edhe pas hedhjes së votës, Qeveria për të cilën kanë votuar ende nuk është formuar. Kjo për shkak të procedurave ligjore dhe ankesave që disa subjekte dhe kandidatë i kanë bërë në PZAP për rezultatin e zgjedhjeve.

Analisti politik, Imer Mushkolaj, ka thënë për Indeksonline, se këto procedura burokratike ligjore po e shtyjnë shumë certifikimin e rezultateve e me këtë edhe krijimin e institucioneve.  Për këtë Mushkolaj ka një propozim.

“Për të bërë punën e KQZ-së sa më efikase dhe efektive është e domosdoshme reforma zgjedhore, me ç’rast këto procedura do të thjeshtoheshin”, ka thënë ai.

Mushkolaj me tutje tha se kjo zvarritje e formimit të institucioneve ka pasoja për vendin dhe qytetarët.

“Zvarritja e certifikimit të rezultateve shkakton humbje për qytetarët dhe për vendin, ngase bllokohen procese të rëndësishme që do të duhej të kryheshin nga qeveria e re. Kjo ndikon, po ashtu, edhe në vendimin e qytetarëve për të shfrytëzuar të drejtën e votës, ngase zyrtarizimi i rezultatit të vullnetit të tyre po zgjat pa fund” ka shtuar Mushkolaj.

Mushkolaj thotë se është shumë që procesi zgjedhor të zgjasë katër javë.

“Katër javë për të përfunduar një proces zgjedhor janë shumë edhe për një shtet të madh, e lëre më për një vend të vogël si Kosova, me një numër të vogël votuesish”, ka thënë ai për Indeksonline.

Pas shpalljes së rezultateve nga KQZ, disa nga kandidatët për deputet dhe subjektet politike u ankuan për rezultatin e zgjedhjeve në PZAP.

Pas afatit 72 orësh të PZAP-it, disa nga këto ankesa u miratuan dhe u dërguan në Gjykatën Supreme. Më pas edhe gjykata miratoj këto ankesa.

Ndërsa, gjatë ditës se djeshme, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka marrë vendim për të rinumëruar 23 Vendvotime me kërkesë të Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa./Indeksonline/L.TH/


Lexo të tjera