19:35 / E enjte, 12 Tetor 2017

Qeveria e Haradinajt i përgjigjet “kokëfortësisë” së kryeministrit të Malit të Zi

Qeveria e Haradinajt i përgjigjet “kokëfortësisë” së kryeministrit të Malit të Zi

Kryeministri malazez, Dushko Markoviq i kishte tërhequr vërejtjen Qeverisë së re të Kosovës për çështjen e shënjimit të vijës kufitare me Malin e Zi. Ai i ka kujtuar kryeministrit Ramush Haradinaj njohjen e menjëhershme që i kishte bërë Kosovës, andaj edhe i ka kërkuar të tregohet i përgjegjshëm për demarkacionin.

Ndërkohë, është Qeveria e “Haradinaj” ajo që tashmë ka formuar një komision të ri për t`u marrë me këtë çështje, meqë vet kryeministri vazhdon të deklarohet se kufiri është në Kullë dhe Çakorr.

Megjithatë, prishja e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Malit të Zi nuk mund të shihet si opsion. Kështu është deklaruar për “Indeksonline”, drejtori për Informim në Zyrën e Kryeministrit, Halil Matoshi.

“Jo nuk mund të ketë ftohje marrëdhëniesh, sepse Kosova është e përkushtuar që kontestet të zgjidhen konform Kushtetutës, normave dhe të drejtës ndërkombëtare. Republika e Malit të Zi është sovrane në vendimet e veta dhe në këtë kontekst duhet të shihen opinionet e politikanëve malazias. Çështja e demarkacionit nuk është proces i përfunduar nëse njëra nga palët e marrëveshura nuk e ka ratifikuar”, ka thënë ai.

I pyetur nëse ekziston mundësia që demarkacioni të hiqet si kusht për liberalizimin e vizave, Matoshi nuk ka dhënë përgjigje konkrete.

“Institucionet kosovare janë në dialog permanent dhe për të gjtha çështjet me Brukselin zyrtar”, është shprehur ai.

Ndryshe, liderët e Malit të Zi tashmë demarkacionin e kanë quajtur “punë të kryer”./Indeksonline/

Lexo të tjera