19:02 / E mërkurë, 11 Janar 2017

Reduktime gjithandej, KEK thotë se po prodhon sa po kërkon KEDS

Reduktime gjithandej, KEK thotë se po prodhon sa po kërkon KEDS

Kosova, ditët e fundit është duke u përballë me kaos energjetik. Në shumë qytete të vendit madje reduktimet shkojnë në 4 me 2 në favor të dritave. 

Por në një prononcim për Indeksonline, zëdhënësi i KEK-ut, Skender Bucolli ka theksuar se KEK ka realizuar prodhimin e gjithë asaj që është planifikuar, sidomos për ditën e djeshme dhe për sot.

“KEK-u është duke realizuar planin e prodhimit me 98.9 për qind. Duke pasur parasysh gjendjen e krijuar për sa i përket sigurisë energjetike kombëtare dhe nevojën e shtuar për energji elektrike, KEK-u, përveç grupeve të operimit që punojnë në tri ndërrime, për të tejkaluar situatën aktuale të acarit, është përforcuar edhe me ekipet e mirëmbajtjes në Divizionin e Prodhimit të Qymyrit, Termocentralin Kosova A dhe Termocentralin Kosova B”, ka deklaruar Bucolli. 

Bucolli ka thënë se kohët e fundit për shkak të acarit po iu vështirësohet puna punëtorëve për shkak se po ngrihen mjetet. 

“Neve na e ka ndodhë që në këtë të ftohtë të na e ngrihen gjërat dhe kemi pas gjendje të jashtëzakonshme, pra kemi për obligim me realizu aq sa kemi mundësi, meqenëse mundet me ndodhë diçka që s’arrijmë...pra të dielën na e ka ndodhë një gjë e tillë edhe pse prapë kemi arrit me e realizu prodhimin në nevoja të mëdha. Kështu që të hënën, të martën dhe sot është prodhimi ashtu siç është planifikuar pa probleme.”, ka shtuar Bucolli./Indeksonline/

Foto e acarit në KEK:


Lexo të tjera