20:42 / E hënë, 11 Shtator 2017

Reportazh ekskluziv nga Serbia: Pazaret për të ikur nga Kosova në drejtim të Evropës (Video)

Reportazh ekskluziv nga Serbia: Pazaret për të ikur nga Kosova në drejtim të Evropës (Video)

Emigrimi ilegal i kosovarëve drejt vendeve të Bashkimit Evropian është rikthyer përsëri. Reportazhi i bërë nga ekipi i “Indeksonline” tregon qartë se si po bëhet ikja nga vendi ynë. Padyshim, edhe kësaj radhe qytetarët tanë kanë zgjedhur Serbinë, respektivisht Suboticën, si urë lidhëse për të dal në Evropë. Ndonëse herëve të kaluara ishin malet e Hungarisë “zinxhiri” i shqiptarëve, kësaj radhe kanë ndryshuar gjërat. Pika kufitare Serbi-Rumani dhe ajo me Kroacinë është duke u shfrytëzuar nga disa persona.

Është ora 22:00 e ditës së enjte (7 shtator), ndërsa Stacioni i Autobusëve në Prishtinë ishte i stërmbushur me njerëz, disa që ishin në pritje për ikur ilegalisht e disa tjerë që ishin kurioz për gjendjen e krijuar aty.

Derisa shoferi i autobusit të linjës së parë Prishtinë-Beograd po mbyllte dyert, për tu nisur pasuan shumë fishkëllima dhe brohoritje të njerëzve të cilit nuk arritën të hipin në të, pasi ishte i stërmbushur.

Më shumë emocione dhe me lot në sy, baca Islam rreth 60-tave, po shikonte drejt dritareve të autobusit ku i bënte me dorë dy djemve të tij të cilët synonin të arrinin në Gjermani përmes rrugëve ilegale.

“Djemtë e mi janë ata dy, i rrita i shkollova me gjithë fukarallëkun që kishim tash i përcjella, e se di as për ku po përcjelli. Po baba i tyne jam e mos kofsha”, u shpreh baca Islam, i cili mezi mbante vajin brenda vetës dhe shikonte autobusin deri sa ai nuk u duk me.


Nisja nga Kosova për Serbi

Ndërkaq, udhëtimi jonë nuk nisi nga stacioni i autobusëve në Prishtinë por nga hyrja e tij ku ishte fshehur autobusi i kompanisë “Adio Tours”, me qëllim që tu ik të rinjve që kishin për qëllim emigrimin ilegal,  megjithëse mbi 30 prej tyre hipën sepse kishin arritur të sigurojnë biletat dy  ditë me herët.

Imazhi i parë trishtues i këtij udhëtimi ishte ndalesa e parë rrugës afër pikës kufitare në Merdare, ku autobusi ndaloi për një pushin të shkurtër, por posa hapi dyert një grup i madh i të rinjve që qëndronin jashtë vrapuan të hyjnë brenda. Shoferi i autobusit nxitoj ti mbyll shpjet dyert dhe e nis autobusin me një vrull të madh për tu ikur njerëzve atyre, pamje e cila të jepte imazhin e njerëzve që provojnë të ikin nga lufta.

Me të arritur në pikën kufitare në Merdare Policia e Kosovës bëri kontrollin e të gjithë udhëtarëve ku ndaloj disa prej personave që dyshohej se kishin për qëllim rrugëtimin ilegal për në Hungari.

“Rrugë të mbarë, në detyrën e juaj, kujdes se po dilni edhe vet ju në të zezën”, tha duke qeshur polici, duke bëri me dorë që të vazhdojmë tutje.

Është ora 7 e mëngjesit kur autobusi arrinë në Beograd. Shumica e kosovarëve ishin të hutuar. Pas disa minutave, të njëjtit nisen për të marrë biletën të linjës Beograd- Suboticë e cila kushtoi mbi 15 euro.

Subotica, ‘zinxhiri’ për të ikur drejt Evropës

Pas 14 orësh udhëtimi Prishtinë-Beograd-Suboticë, mbërritjes së kosovarëve më së shumti iu gëzoheshin  taksistët që rrinin afër stacionit të autobusëve në këtë qytet.

“Hajde na tregoni për ku duhet të ju shpijmë”, ishte fjala e parë në gjuhën serbe e një taksisti të moshuar që iu drejtohet turmës.

“Nuk është mirë të qëndrojmë gjatë këtu, mund të na vërë re policia, është më mirë të shkojmë”, bëri të ditur njëri nga taksistët serb, duke shtuar se kostoja e udhëtimit 5 minutësh duhet të paguhet 500 denar (afro 5 euro).

Nga aty destinacioni ishte Hotel “Evropa”, një vend ky i njohur për emigrantët kosovarë nga ku “goditeshin” çmimet dhe më pas niseshin drejtë rrugëve ilegale për kaluar kufirin e BE-së.

Njëri prej ‘shefave’ të taksistëve, qel, me syze në kokë, tregon mënyrën për tu larguar nga Subotica.  Ai thotë se kufiri me Hungarinë nuk mund ta kalohet pasi i njëjti është i pamundur të kalohet.

Rumania është vendi më i lehtë tani për tu kaluar, ku nga aty mund të udhëtoni pa problem deri në Budapest, pastaj mund të zgjedhin cilin shtet ku doni të shkoni”, tregoi taksisti serb, i cili rreth vetës mblodhi disa të rinj kosovarë. Madje,  së bashku me to ishte edhe një familje me 3 fëmijë të vegjël.

Pasi ua morën nga 100 euro për person, për një distancë rreth 100 kilometra nga Subotica në kufirin rumun, emigrantët kosovarë më pas u lanë në duart e fatit për të cilët ende nuk dihet asgjë.

Ekipi i Indeksonline, vizitoi një pikë në kufirin mes Serbisë dhe Hungarisë, në të raportohej se ishte hapur një shteg i cili po përdorej nga emigrantët për kalim kufiri.

Tela të gjatë deri në një metër e gjysmë të mbështjellë me tela të ushtrisë të elektrizuar, në anën tjerët qëndronin një grup ushtarësh hungarez të armatosur të cilët bënin sikur nuk vërenin ekipin e Indeksonline, ndonëse ishte një distance të afërt.

Gjasat për të kaluar emigrantët në këtë kufi dukeshin mjaft të pakta duke parë masat e sigurisë nga autoritetet hungareze.  Por, pavarësisht masave të rrepta nga hungarezët për parandalimin e hyrjes së emigrantëve, kosovarët vazhdojnë kalojnë në zonën e BE-së, duke përdorur rrugët tjera ilegale, me Rumaninë dhe shtetin tjetër, Kroacinë. /Indeksonline/  Alban Muhaxheri – Alban Bujupi /




Lexo të tjera