13:57 / E mërkurë, 13 Shtator 2017

Sallova: Pa dialog me opozitën, do të kemi vetëm një kornizë të Qeverisë Haradinaj

Sallova: Pa dialog me opozitën, do të kemi vetëm një kornizë të Qeverisë Haradinaj

3 muaj pas zgjedhjeve qendrore të parakohshme, tashmë është arritur krijimi i Qeverisë së Ramush Haradinajt.

Mirëpo, kjo Qeveri e sapokrijuar mund të mos shkojë as në gjysmë të mandatit të saj nëse do të jetë një Qeveri e rëndomtë.

Kështu ka vlerësuar, njohësi i çështjeve politike, Donik Sallova, i cili gjatë një prononcimi për Indeksonline ka thënë se kjo Qeveri do të jetë mjaftë e brishtë, pasi është ndërtuar në faktor jo shumë stabil, kur kemi parasysh pjesëmarrjen e deputetëve të Listës Serbe.

Sipas tij, Qeveria Haradinaj e ka për detyrë të justifikojë këtë lloj kompromisi që ka bërë.

“Tashmë kemi një shumicë parlamentare, ajo është e brishtë, është e ndërtuar në faktor jo shumë stabile siç është mbështetja në votën e 10 deputetëve nga Lista Serbe, por megjithatë kjo Qeveri e ka për detyrë të justifikojë këtë lloj kompromisi që ka bërë. Me punë Qeveria Haradinaj duhet ta arrijë legjitimitetin, kur nesër- pasnesër të vije ndeshja me listën serbe pasi do të ketë përplasje, dhe në momentin kur do të ketë përplasje, të ketë deputetë shqiptarë që përballë Serbisë ta mbrojmë punën e mirë të Qeverisë së Kosovës. Ndryshe nëse kjo do të jetë Qeveri e rëndomtë, apo të plotësimit të aspiratave të liderëve të saj, nuk mendoj që kjo Qeveri do të shkojë as në gjysmë të mandatit të vet”, ka thënë ai.

Ndërsa sa u përket premtimeve të mëdha, sipas Sallovës ato kërkojnë reforma të mëdha. E për reforma të mëdha nevojiten edhe ndryshimet e ligjeve e të cilat janë të mundshme vetëm nëse Haradinaj krijon një raport të mirë me opozitën.

“ Premtimet e mëdha, kërkojnë reforma të mëdha. Ndërsa, reforma të mëdha kërkojnë aksione politike jo vetëm brenda të Qeverisë por edhe në Parlament. Do të thotë ndryshim ligjesh, miratim ligjesh prandaj kësaj Qeverie i duhet një shumicë parlamentare,  solide që do mundësojë ndryshimin e ligjeve dhe pastaj zbatimin e reformave. Prandaj, nëse Qeveria Haradinaj nuk e ka për synim që muaj pas muaji të arrihet përkrahja në Kuvend, qoftë duke rritur dialogun edhe me opozitën, në të kundërtën unë besojë që do të jetë një Qeveri e dështuar. Ne mund ta kemi një kornizë të Qeverisë Haradinaj por kjo nuk mjafton sepse qeverisja e mirë kërkon edhe ndërmarrje ligjore, ndërmarrje ekzekutive, hartim dhe zbatim të politikave shumë të mëdha”, ka shtuar ai.

Ndërsa sa i përket ndarjes së Ministrisë së Bujqësisë, Listës Serbe, sipas tij ata do i shfrytëzojnë mjetet financiare të ministrisë, për të përdorur për qëllime politike.

“Dihet se cili është qëllimi kryesor i pjesëmarrjes së Listës Serbe në institucionet e Kosovës.  Ata duan t’i shfrytëzojnë institucionet e Kosovës për t’i penguar serbët e Kosovës për t’i integruar në sistemin politik të Kosovës. Pra dëshirojnë që nga brenda t’ua pamundësojnë serbëve të integrohen në Kosovë. Kjo i bije se buxheti i kësaj ministrie që është kogja i madhe, nuk besoj që do të përdoret për aktivitete të mirëfillta të bujqve të Kosovës, por edhe si në rastin e ministrive të tjera ku kemi pasur raste të shpeshta të ministrave serb, edhe në këtë rast do të ketë tendencë që shumë nga mjetet e saja financiare të përdoren për qëllime politike të Listës Serbe e të cilat dihet se për çfarë qëllimesh bëhen.

Ndryshe, sot është dita e tretë që kur kryeministri, Ramush Haradinaj ka pranuar detyrën e re pas dorëzimit të mandatit tashmë nga ish kryeministri, Isa Mustafa./Indeksonline/

Lexo të tjera