18:43 / E diel, 13 Gusht 2017

Serbia i premton Rusisë: Kurrë në NATO

Serbia i premton Rusisë: Kurrë në NATO

Ministri serb i Mbrojtjes, Aleksandar Vulin i ka thënë homologut rus Sergei Shoigu se, pozicioni parimor i Serbisë është që të mbetet edhe më tej neutrale ushtarakisht. Kështu raporton televizioni shtetëror i Serbisë, “RTS”.

Vulin, i cili gjendet për një vizitë dyditore në Rusi, ka biseduar me homologun rus për bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes dhe të industrisë ushtarake, në një bazë të ushtrisë ruse afër Moskës.

“Derisa Vuçiç të jetë komandant suprem i ushtrisë dhe President i Republikës së Serbisë, dhe unë gjithashtu ministër i Mbrojtjes, Serbia nuk do të jetë anëtare e NATO-s dhe as e ndonjë aleance ushtarake, sikurse nuk do të mbeshtesim dhe as imponojmë sanksione ndaj Federatës Ruse”, tha Vulin. 

Vulin ka theksuar ndërkohë se, aeroplanë luftrakë rusë të tipit “MIG” do të mbërrijnë në Serbi sipas planit, deri në fund të këtij viti. Serbia dhe Rusia konsiderohen aleate të hershme, me këtë të fundit që nuk e sheh aspak me sy të mirë bashkimin e të gjitha vendeve, ku ajo ka pasur apo ka ndikim, me aleancën ushtarake perëndimore.

Lexo të tjera