10:08 / E enjte, 12 Janar 2017

Shala: Ramiz Kelmendi, humbje e madhe për kulturën shqipe

Shala: Ramiz Kelmendi, humbje e madhe për kulturën shqipe

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala i ka dërguar një telegram ngushëllimi familjes Kelmendi me rastin e vdekjes së shkrimtarit dhe gazetarit Ramiz Kelmendi.

Shala në telegramin e tij ka thënë se humbja e Kelmendi është humbje e madhe edhe për kulturën dhe letrat shqipe.

Sipas tij, Kelmendi është vlerësuar si një nga shkrimtarët më të rëndësishëm të vendit, i cili do të përkujtohet me respekt për veprat e tij të çmuara letrare.

Lexoni telegramin e Shalës:

E nderuara familja Kelmendi,

Me pikëllim të thellë morëm lajmin për vdekjen e të dashurit tuaj, të shkrimtarit dhe të gazetarit tonë të respektuar, Ramiz Kelmendit.

Ndarja nga jeta e Ramiz Kelmendit është një humbje e rëndë jo vetëm për ju, por edhe për kulturën dhe për letrat shqipe.

Shkrimtari i njohur, Ramiz Kelmendi, me një sërë veprash të zhanreve të ndryshme, si: letrare, gazetareske e publicistike, është një nga themeluesit e jetës letrare e kulturore të Kosovës.

Ai, me krijimtarinë e tij, ishte përkushtuar, siç thoshte vetë, të shkruante për jetën.

Ramiz Kelmendi është vlerësuar si një nga shkrimtarët më të rëndësishëm të Kosovës, si autor që me durim ndoqi jetën e shqiptarëve të Kosovës në shekullin e tij.

Ne e kujtojmë me pietet dhe respekt veprën e tij të çmuar letrare.

Ngushëllime familjes, miqve dhe dashamirëve të shkrimtarit Ramiz Kelmendi.

 

 

Lexo të tjera