23:30 / E enjte, 21 Shtator 2017

Si do të shpenzohen 49 milionë dollarët e MCC-së?

Si do të shpenzohen 49 milionë dollarët e MCC-së?

Koordinatori nacional i fondit amerikan të Sfidave të Mijëvjeçarit, Petrit Selimi, ka treguar se si do të shpenzohet granti prej 49 milionë dollarësh të cilin e ka fituar Kosova nga MCC.

Ai ka thënë se Kosova është meritore që ka arritur të sigurojë një nga grantet më të mëdha që nga shpallja e pavarësisë. Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka bërë me dije se procesi për t’i fituar këto 49 milionë dollarë ka qenë i vështirë pasi është dashur të plotësohen shumë kushte. “Ky grant mundëson që institucionet e Kosovës të punojnë edhe më tej dhe hap derën që të përfitohen edhe investime të tjera.

Pra, ishte një punë shumëvjeçare, ishte një interesim në Kongres, Ambasadën Amerikane, USAID, por edhe një angazhim i madh në vitin e kaluar i lidershipit, presidentit Thaçi, kryeministrit Mustafa dhe kryekuvendarit Veseli që, së bashku me agjencitë qeveritare, shoqërinë civile dhe sektorë privatë, bashkëpunuan të krijohet ky pakt që u aprovua në vlerë optimale”, ka thënë Selimi.

Ai ka deklaruar se pas nënshkrimit të marrëveshjes, MCC-ja obligon Qeverinë e Kosovës të themelojë një mekanizëm të pavarur mbikëqyrje amerikane. Sipas tij, investimet nga ky fond do të fillojnë vitin e ardhshëm. “Ky fondacion do të ketë bord të përzier dhe gjithëpërfshirës, një udhëheqës amerikan dhe një kosovar dhe do të punojë në projektet që janë aprovuar në Uashington. Janë gjithsejtë katër projekte madhore dhe shpresojmë që formalitetet rregullative dhe mekanizmat e ndryshëm që kërkon shteti amerikan të përfundojnë deri në fund të këtij viti.

 Ne presim që ekspertët e parë të rekrutohen këtë vit, që zyrat të hapen këtë vit dhe që vitin e ardhshëm të fillojnë edhe investimet konkrete që sjellin vende të reja të punës”, është shprehur Selimi.

Ai ka sqaruar se si do të implementohen mjetet në dy programet e miratuara: rritjen e efiçiencës energjetike dhe rritjen e transparencës në gjyqësor dhe qeverisje. “Projekti i parë do t’i ndihmojë familjet, sidomos ato më të varfra, të marrin grante për investime në izolim të shtëpive dhe banesave kolektive që të arrihet nivel i kursimit.

 Po ashtu, do të ndihmohet edhe rritja e efiçencës së ngrohjes qendrore ashtu që të rritet kapaciteti i ngrohjes me avull nga Kosova B. Programi i dytë ndihmon digjitalizimin e procesit gjyqësor dhe bërjen transparente të proceseve gjyqësore”, ka thënë Petrit Selimi.

Sa ka qenë vështirë për Kosovën ta fitojë këtë grant?

Selimi: Procesi ka qenë i vështirë dhe shumë i gjatë. Që para 10 vjetësh miqtë amerikanë, sidomos kongresmeni Eliot Engel, kanë lobuar që Kosova të marrë pjesë në këtë fond, por ne nuk kemi plotësuar shumë kushte dhe kemi qenë prapa në shumë indikatorë të qeverisjes së mirë, lirive ekonomike, shëndetësisë etj. Meqë Qeveria e Kosovës, por edhe presidentja Jahjaga me staf arritën ta kualifikojnë Kosovën për herë të parë. Në ndërkohë u punua për zhvillim të projekteve dhe më 2016 Bordi i MCC-s konfirmoi se Kosova do të marrë një grant të natyrës Threshold apo Grant i Pragut. Ky grant mundëson që institucionet e Kosovës të punojnë edhe më tej dhe hap derën që të përfitohen edhe investime të tjera. Pra, ishte një punë shumëvjeçare, ishte një interesim në Kongres, Ambasadën Amerikane, USAID, por edhe angazhim i madh në vitin e kaluar i lidershipit - presidentit Thaçi, kryeministrit Mustafa dhe kryekuvendarit Veseli që, së bashku me agjencitë qeveritare, shoqërinë civile dhe sektorin privat, bashkëpunuan të krijohet ky pakt që u aprovua në vlerë optimale.

 Kur pritet të formohet fondi që do të derdhen këto mjete dhe cili institucion do të merret me formimin e tij?

Selimi: Tani pasi që u nënshkrua marrëveshja, MCC-ja obligon Qeverinë e Kosovës të themelojë një mekanizëm të pavarur mbikëqyrje amerikane. Ky fondacion do të ketë bord të përzier dhe gjithëpërfshirës, një udhëheqës amerikan dhe një kosovar dhe do të punojë në projektet që janë aprovuar në Uashington. Janë gjithsejtë katër projekte madhore dhe shpresojmë që formalitetet rregullative dhe mekanizmat e ndryshëm që kërkon shteti amerikan të përfundojnë deri në fund të këtij viti. Presim që ekspertët e parë të rekrutohen këtë vit, që zyrat të hapen këtë vit dhe që vitin e ardhshëm të fillojnë edhe investimet konkrete që sjellin edhe vende të reja të punës.

 Për çfarë konkretisht do të shfrytëzohen këto mjete?

Selimi: Janë dy programe të aprovuara, njëri synon rritjen e efiçienës energjetike, tjetri rritjen e transparencës në gjyqësor dhe qeverisje. Projekti i parë do t’i ndihmojë familjet, sidomos ato më të varfra të marrin grante për investime në izolim të shtëpive dhe banesave kolektive që të arrihet nivel i kursimit. Po ashtu, do të ndihmohet edhe rritja efiçiencës së ngrohjes qendrore ashtu që të rritet kapaciteti i ngrohjes me avull nga Kosova B. Programi i dytë ndihmon digjitalizimin e procesit gjyqësor dhe bërjen transparente të proceseve gjyqësore si dhe hapjen e të dhënave dhe grantet për shoqërinë civile.

Është shkruar në medie se Kosova ka mundur të marrë një grant deri në 500 milionë dollarë?

Selimi: Ka pasur spekulime dhe keqkuptime, por Kosova realisht me madhësinë prej më pak se dy milionë banorë nuk ka mundur të thithë paratë që po përmenden në asnjë rast. Ky program Threshold është një fillim i investimeve dhe nuk përjashton që Kosova të kualifikohet edhe për një grant tjetër nëse arrihet progres i mëtutjeshëm në indikatorët e qeverisjes së mirë. Kosova nuk ka humbur asnjë cent - vetëm se ka fituar dhe ky grant është një dëshmi e dedikimit të Qeverisë dhe popullit amerikan zhvillimit ekonomik dhe të qëndrueshëm të republikës sonë. Ishte vetë rekomandimi i partnerëve amerikanë që ne të fokusohemi te ky grant i garantuar më shumë se të humbasim kohë në ndjekje të mjeteve që nuk ishin të garantuara. Në kategorinë Threshold, Kosova ka fituar grantin e dytë më të madh në histori të MCC-s. Kjo verifikohet lehtë.

Me zbatimin e këtij programi, do të mund të marrë mjete të tjera Kosova nga Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit?

Selimi: Siç thashë dhe më herët, nëse Kosova shënon trend të përmirësimit të indikatorëve dhe mbetet e kualifikuar si një ekonomi e nivelit më të varfër prej nën 4 000 dollarë të ardhura për kokë banori. Pra, janë ca kushte teknike, por edhe dedikim i institucioneve për progres, që të thithen edhe mjete të tjera nga ky fond shumë i rëndësishëm.


Lexo të tjera