09:08 / E mërkurë, 23 Gusht 2017

Strategjia e re e Trumpit për Afganistanin

Strategjia e re e Trumpit për Afganistanin

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, thotë se duhet të luftohet për t’i ndaluar rezultatet “e parashikueshme dhe të papranueshme” të tërheqjes së shtetit të tij në mënyrë të shpejtë nga Afganistani, ku për 16 vjet ndodhet në luftë. 

Në një deklaratë në bazën ushtarake “Fort Myer”, në Virginia, Trump foli për strategjinë për Afganistanin.

“Kam arritur në përfundim se kërcënimet e sigurisë me të cilat përballemi në Afganistan dhe në rajonin e gjerë janë shumë të mëdha”, thotë Trump. 

Duke shprehur se “Nuk do të flasim për numrin e trupave apo planin e aktiviteteve ushtarake në të ardhmen”, presidenti i SHBA-së thekson se strategjia e tyre ushtarake pas kësaj do të drejtohet nga kushtet në terren, e jo nga afatet e rastësishme kohore.

Objektivat amerikane në Afganistan, tha presidenti Trump, do ta përfshijnë fshirjen nga faqja e dheut të ISIS-it dhe moslejimin e talebanëve për ta marrë nën kontroll Afganistanin.

Zoti Trump tha se për t’i arritur këto objektiva ai do ta zgjeronte autoritetin e trupave amerikane për t’i vënë në shënjestër rrjetet kriminale dhe terroriste në Afganistan.

Presidenti bëri të ditur se SHBA-ja do të vazhdojë të punojnë për t’i forcuar trupat afgane të sigurisë. Por, ai paralajmëroi se mbështetja amerikane për Afganistanin nuk ishte e pakufizuar. Ai tha se Afganistani duhet ta tregojë një angazhim serioz dhe të ndërmarrë hapa për të luftuar probleme të tilla të përhapura, siç është korrupsioni, transmeton "Zëri".

“Durimi ynë nuk është pa kufi. Ne do t’i mbajmë sytë hapur”, tha zoti Trump.

Duke treguar se populli i Afganistanit do ta mbrojë sigurinë e vendit, Trump thekson se “Afganët do ta ndërtojë kombin e tyre dhe do të vendosin për të ardhmen e tyre. Ne duam që ata të jenë të suksesshëm”.

Duke vënë në dukje se tërheqja e shpejtë nga Afganistani është e papranueshme dhe do ta krijojë një zbrazëti të pushtetit, ai thotë se SHBA-ja ka nevojë për një rrugë për “fitore”.

Trump po ashtu shton se populli amerikan “është i lodhur nga luftërat pa fitore” dhe se e ndan dëshpërimin e popullit amerikan. 

Ai shton se kur një pjesë e SHBA-së dëmtohet nga kjo preket i gjithë populli i saj dhe se “Besnikëria ndaj kombit kërkon besnikëri ndaj njëri-tjetrit. Dashuria ndaj Amerikës kërkon dashurinë për gjithë popullin”.

Presidenti Trump kritikoi gjithashtu Pakistanin, ai tha se ka vepruar si strehë e sigurt për “agjentët e kaosit”.

Më tej ai paralajmëroi Pakistanin se Uashingtoni nuk do të tolerojë më që ky vend të ofrojë “parajsa të sigurta” për ekstremistët, duke i kujtuar se ka shumë për të humbur nëse nuk rreshtohet në krah të amerikanëve.

“I kemi paguar Pakistanit miliarda e miliarda dollarë, - tha presidenti, - e sërish strehon ekstremistë me të cilët ne luftojmë”.

Në të njëjtën kohë që lëshonte akuzat e hedhura poshtë nga pala pakistaneze, Trump u zotua ta forcojë partneritetin me rivalen më të madhe të Islamabadit, Indinë.

Ai e bëri gjithashtu të qartë se pret nga aleatët ta mbështesin strategjinë e re, duke u kërkuar t’i rrisin kontributet e tyre në një linjë me ato amerikane.

Sipas sekretarit të Mbrojtjes, James Mattis, një sërë shtetesh aleate janë angazhuar tashmë për shtimin e numrit të trupave të tyre ushtarake në Afganistan.

NATO-ja mirëpret strategjinë e re për Afganistanin

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka njoftuar se ka mirëpritur strategjinë e re që presidenti amerikan, Donald Trump, ka prezantuar mbrëmë për Afganistanin.

Në një deklaratë me shkrim Stoltenberg është shprehur se “E Kam mirëpritur me kënaqësi strategjinë e re që presidenti Trump ka planifikuar ta zbatojë sipas situatës në Afganistan dhe në rajon. NATO-ja ruan vendosmërinë në lidhje me Afganistanin”.

Pasi ka rikujtuar se NATO-ja ka vendosur për rritjen e pranisë aktuale të aleatëve në Afganistan, Stoltenberg ka ndarë informacionin se në vend ndodhen afërsisht 12 mijë njësi të NATO-s dhe ka njoftuar më tej se më shumë se 15 anëtarë të NATO-s do të sigurojnë kontribut shtesë ndaj misionit “Mbështetja e Vendosur”, që ndërmerret nga aleanca. Stoltenberg ka vënë në dukje se prania e NATO-s në Afganistan është si rezultat i sulmit terrorist të drejtpërdrejtë të kryer në SHBA më 11 shtator 2001.

“Falë mbështetjes së NATO-s tashmë Afganistani ka një forcë sigurie e cila përbëhet nga afërsisht 350 mijë ushtarë dhe policë profesionistë. Në vitin 2014 ua kemi dorëzuar atyre në mënyrë të suksesshme të gjithë përgjegjësinë e sigurisë”, është shprehur Stoltenberg, duke rikujtuar se pas sulmit të 11 shtatorit NATO-ja ka vënë në veprim për herë të parë nenin e mbrojtjes së përbashkët.

Ndër të tjera, Stoltenberg ka theksin se qëllimi kryesor i NATO-s është të pengojë që Afganistani të shndërrohet sërish në një “parajsë të terrorizmit” dhe ka kërkuar që të gjitha palët në Afganistan të kryejnë përpjekje për një marrëveshje politike.

Lexo të tjera