10:02 / E enjte, 12 Tetor 2017

Transformimi i FSK-së, mision i gjeneral Çekut

Transformimi i FSK-së, mision i gjeneral Çekut

Në vazhdën e emërimit të zëvendësministrave të Qeverisë Haradinaj, Agim Çeku i PDK-së është emëruar zëvendësministër i Forcave të Sigurisë së Kosovës, të cilën ministri tani e udhëheq Rrustem Berisha i AAK-së.

Çeku ka thënë në një intervistë për Indeksonline se pas marrjes së detyrës do të mundohet t’i përmbush obligimet që i takojnë.

“Do të punoj me kapacitetet e mija si zëvendësministër, do të kryej detyrat që mi jep ministri si dhe do të përpiqem të jem i dobishëm për FSK-në e për vendin tim. Ka vite që jam duke e pritur transformimin e FSK-së në FAK dhe prapë vazhdoj ta pres një gjë të tillë”, ka thënë Çeku.

I pyetur për emërimin e tij në këtë pozitë, Çeku ka thënë se kryetari i PDK-së, Kadri Veseli dhe kryeministri Ramush Haradinaj e dinë pse kanë vendosur t’ia besojnë këtë post, shkruan Indeksonline.

“Pyetni kryetarin e PDK-së dhe kryeministrin që më emëruan, ata thjesht presin prej meje që të jem konstruktiv dhe i dobishëm me FSK dhe të ndihmoj ministrinë e qeverinë për arritjen e qëllimeve”, ka përfunduar Çeku.

Kujtojmë se Çeku ishte shef i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK së, post ky nga i cili e drejton UÇK në gjatë fushatës së bombardimeve të NATO së.

Me përfundimin e luftës në Kosovë, Çeku fillon një beteje tjetër, atë të transformimit të UÇK së në Trupat e Mbrojtjes të Kosovës (TMK). Ai zyrtarisht është emëruar komandant i TMK së më 21 shtator 1999, për t’u emëruar më vonë kryeministër i Kosovës, pastaj ministër i FSK-së. /Indeksonline/

Lexo të tjera