23:21 / E martë, 26 Shtator 2017

Vuçiq tregon sa janë gjasat për kompromise me Kosovën

Vuçiq tregon sa janë gjasat për kompromise me Kosovën

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në një intervistë për televizionin shtetëror serb RTS, ka thënë se nuk duhet jetuar në të kaluarën, por as në gënjeshtrat se i kemi humbur të gjitha në Kosovë.

Sipas tij, është e rëndësishme të zgjidhen njëherë e përgjithmonë raportet mes shqiptarëve dhe serbëve.

 “Kam frikë se nuk do të kemi forcë për këtë, por do të doja të kemi”, ka thënë Vuçiq, duke potencuar se mund të hamendësohet se për çka po mendon ai, por tha se nuk do të flasë për zgjidhjen  derisa të mos dëgjojë edhe palët tjera në dialogun e brendshëm, i cili do të institucionalizohet muajin e ardhshëm.

“Realiteti në Kosovë nuk është ashtu siç neve do të na pëlqente, por sikur të ishte humbur çdo gjë unë nuk do luftoja kaq shumë për të”, është shprehur presidenti i Serbisë.

Vuciq po ashtu ka thënë se Kosova nuk do të mund të anëtarësohet në OKB, përveç në rast se Serbia do të jetë e kënaqur me diçka që i ofrohet, “por nuk do të jetë me atë që i thonë ta njoh pavarësinë e Kosovës”.

I  pari i Serbisë ka hedhur poshtë të gjitha pretendimet se zgjidhja e çështjes së Kosovës është e pashmangshme, duke potencuar se në SHBA është e pashmangshme vetëm pagesa e tatimit dhe vdekja, kurse në Serbi shlyerja e tatimit nuk është e pashmangshme.

Vuçiq thekson se janë gjasat e vogla të gjendet një zgjidhje kompromisi për Kosovën, duke shtuar se “Jam i gatshëm që të flijohet politikisht në luftë për këtë zgjidhje, me dëshirë që fëmijët tanë në të ardhmen të merren me diçka tjetër”./Indeksonline/

Lexo të tjera