16:45 / E Diele, 17 Qershor 2018 / indeksADMonline

Latifi: Organet e rendit dhe ligjit të bëjnë punën e tyre në rastin e deklaratës së hoxhë Bytyqit

Bujë të madhe bëri sot deklarata skandaloze e imamit të një xhamie të Rahovecit, Bedri Bytyqi i cili hodhi poshtë të gjitha rregullat e Bashkësisë Islame duke deklaruar se në ceremoninë e varrimit të babit të kryeministrit Ramush Haradinaj nuk duhet të shkojnë hoxhallarët.

Qëndrimi i tij skandaloz u dënua pothuajse nga të gjithë ata që dëgjuan.

Ndërkohë është pikërisht i pari i komunës së Rahovecit, Smajl Latifi i cili ka dënuar deklaratën e Bytyqit duke thënë se është thellësisht i indinjuar me thirrje te ‘imamit’ i cili sipas tij në Fortesë kishte gjetur pritje dhe trajtim të mirë, në përputhje me të gjithat traditat më të mira shqiptare, shkruan Indeksonline.

Latifi poashtu ka thënë se thirrja e tij është raciste, jo humane dhe në shpërputhje me parimet bazë të Islamit dhe se thirrjet si kjo fyejnë njerëzit me ndjenja fisnike dhe atdhetare.

Smajl Latifi gjithashtu ka shtuar se organet e ligjit dhe rendit në këtë rast duhet të bëjnë punën e tyre pasi gjuha e urrejtjes dhe mosdurimit përbëjnë shkelje edhe të ligjeve të Republikës së Kosovës.

Postimi i plotë:

Jam thellësisht i indinjuar me thirrjet e ‘imamit’ Bedri Bytyçi, i cili në Fortesë kishte gjetur pritje dhe trajtim të mirë, në përputhje me traditat më të mira shqiptare. Thirrja e tij që të mos varroset babai i dëshmorëve dhe heronjve Hilmi Haradinaj është raciste, jo humane dhe në shpërputhje me parimet bazë të islamit. Thirrje si kjo fyejnë njerëzit me ndjenja fisnike dhe atdhetare.

Duke e ditur paraprakisht, se gjuha e urrejtjes dhe e mosdurimit përbëjnë shkelje edhe të ligjeve të Republikës së Kosovës, do të duhej që organet e rendit dhe të ligjit të bëjnë punën e tyre. Kjo gjuhë e urrejtjes përbën kërcënim të drejtpërdrejt për jetën dhe shëndetin e familjes Haradinaj, gjë që e bën të domosdoshëm ndërhyrjen e shtetit.

Si kryetar dhe qytetar i komunës së Rahovecit jam thellësisht i prekur për faktin se një person i veshur me petkun fetar provokon kaq rëndë ndjenjat e qytetarëve tanë. Edhe Bashkësia Islame do të duhej të merrte masa ndaj imamëve që transmetojnë mesazhe të frikësimit, urrejtjes dhe përbuzjes ndaj një njeriu që i dha aq shumë lirisë së Kosovës.

SL

http://indeksonline.net/qendrimi-skandaloz-i-imamit-nga-rahoveci-per-hilmi-haradinajn/