14:31 / E Premte, 20 Korrik 2018 / indeksADMonline

LB: Kosova nuk kërcënohet nga shkëmbimi por nga autonomia

Lëvizja për Bashkim ka vlerësuar se ditëve të fundit është rritur jashtë mase presioni politik mbi opinionin publik lidhur me rrjedhën e bisedimeve midis Kosovës e Serbisë.

Sipas LB, krejt kjo kulmoi me interpretimet se edhe shkëmbimi i territoreve është një opsion i mundshëm, transmeton Indeksonline.

Prandaj, Lëvizja për Bashkim, është e bindur që kërcënimi i vërtetë për Kosovë është krejt tjetër nga ai që po paraqitet.

“Duke e krijuar një situatë frike ndaj shkëmbimit të territoreve, po përpiqet të zbutet kundërshtimi ndaj një autonomie përmbajtjesore që do të fitonin serbët përmes krijimit të një asociacioni me kompetenca të mëdha.

Ne, përmes platformës sonë, që prej vitit 2010 kemi insistuar që zgjidhja e vetme për problemin shqiptaro-serb është reciprociteti në të drejta midis banorëve të Preshevës, Bujanocit e Medvegjës dhe atyre të Leposaviqit, Zveçanit e Zubin Potokut, deri në ridefinimin e kufijve midis Kosovës e Serbisë, duke u bazuar në vullnetin e banorëve të këtyre komunave.

Lëvizja për Bashkim paralajmëron se rreziku aktual për Kosovën është forcimi i autonomisë për serbët e Kosovës, gjë që Kosovën do ta mbante në mënyrë të vazhdueshme si një shtet jofunksional. Duke e bërë situatën të padurueshme, kjo do të krijonte kushte që pas një kohe të ndodhin edhe përplasje, që shkëmbimin do ta bënin të paevitueshëm, por atëherë vijë ndarëse do të jetë lumi Ibër. Me këtë klasë politike, Kosovën nuk e pret fund tjetër”, thuhet në komunikatë.