17:27 / E Premte, 08 Qershor 2018 / indeksADMonline

LDK kërkon shkarkimin e menaxhmentit të lartë të PTK-së

Seanca e Kuvendit të Kosovës po vazhdon me interpelancën e kryeministrit Ramush Haradinaj lidhur me situatën dhe gjendjen financiare në ndërmarrjet publike të Telekomit dhe të Postës së Kosovës.

Deputeti i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka theksuar se nga viti 2010 kur Telekomi i Kosovës vlente 600 milionë euro dhe kishte interesim nga “Deutche Telekom” për të investuar, sot me disa vendime politike është sjellë buzë falimentimit.

Ai ka paraqitur të dhëna të të hyrave në këtë kompani dhe rënien që ka pësuar nga viti 2011.

“Një ndër raportet me shqetësuese të Telekomit është ai i të hyrave të Telekomit nëpër vite. Në vitin 2011 të hyrat e Telekomit ishin 160 milionë euro, ndërsa sot kur flasim këtu janë 70 milionë euro. Ky është grafikoni i të hyrave të PTK-së. Ky grafikon tregon rënie të lirë, prej 160 milionë euro, në më pak së shtatë vite, ne kemi rënë në 70 %, pra bëhet fjalë për 130 për qind rënie të të hyrave të Telekomit”, theksoi Abdixhiku.

Sipas tij, në kohën kur kishte rënie të të hyrave në PTK, ndodhi rritja e të punësuarve, kryesisht militantë partiak.

“E para, ne ftojë Qeverinë që të vendos moratorium të punësimit në Telekom. Vetëm këtë vit janë punësuar mbi 70 njerëz në Telekom, pra në kohën kur kemi rënie të të hyrave, kemi rrëshqitje drejt falimentimit, Telekomi punëson njerëz me tutje. Ne kërkojmë që të vendoset moratoriumi i Qeverisë për punësim. E dyta, kërkojmë që të shkarkoni gjithë menaxhmentin e lartë të PTK-së dhe të shikoni mundësinë t’ia kaloni kompetencat menaxhuese preferueshëm tek një institucion menaxhues potencialisht i jashtëm…e treta Qeveria duhet të ftoj prokurorinë e vendit për të hetuar të gjitha kontratat, punësimet e marrëveshjet e dëmshme që janë aty dhe qeveria duhet të formoj një task forcë që ndihmon prokurorinë në qasje e dokumente relevante. E katërta, të vogëlohet proporcionalisht me qarkullimin dhe kompensimin financiare të pagave në PTK”, u shpreh Abdixhiku.

Temat: