18:37 / E Martë, 05 Qershor 2018 / indeksADMonline

LDK komenton tërheqjen nga Kuvendi të platformës për dialog me Beogradin

Kryeministri Ramush Haradinaj sot ka tërhequr platformën për dialog me Beogradin nga shqyrtimi në Kuvendin e Kosovës. Ai tha se kjo është bërë me qëllim që subjekteve dhe akterëve politikë në Kosovë t’ju jepet kohë dhe hapësirë në debatin për gjetjen e qasjes më të mirë ndaj kësaj teme.

Mirëpo, për sekretarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri, kjo është bërë për shkak të mos konsensusit për këtë platformë të cilën LDK e ka kundërshtuar që nga fillimi.

Beqiri në një prononcim për Indeksonline ka thënë se LDK nuk do të përkrah një platformë të tillë nëse përsëri sillet në formën që ka qenë dhe me idenë që Presidenti Thaçi të jetë udhëheqës i negociatave.

“Opinioni publik ka disa ditë që ka qenë i informuar për këtë platformë për dialog dhe që ka qenë në rend ditë në seancë. Opinioni po ashtu e din që Lidhja Demokratike e Kosovës e ka thënë qëndrimin e saj të qartë dhe e ka thënë publikisht, që ka pasur rezerva që nga sjellja e saj në kuvend dhe po ashtu ka pasur rezerva edhe në atë se kush do ta udhëheq. Prandaj tërheqja e sotme nga Kuvendi nuk mendoj se është bërë nga ajo që të hartohet me vonë një konsensus, por pikërisht nga ajo mungesa e këtij konsensusi është tërheq. Sepse ne si LDK nuk e përkrahim as platformën dhe atë që është menduar që udhëheqës i negociatave të jetë Presidentin i vendit”, ka thënë Beqiri.

Sipas Beqirit, edhe vet mungesa e votave nga partnerët e koalicionit dhe telashet që mund të kenë brenda koalicionit kanë bërë që sot të tërhiqet kjo platformë.

“Mungesa e votave nga partnerët e koalicionit ka bërë që sot të tërhiqet kjo platformë. Nëse vije sërish kjo platformë në Kuvend si e tillë çfarë ka qenë dhe me idenë si ka qenë, qëndrimi i LDK i tillë do të jetë edhe nesër dhe gjithmonë”, ka shtuar ai.

Sipas tij, kur është fjala për çështje të tilla që kanë të bëjë me mbrojtjen e interesave të vendit, gjithmonë LDK do të dalë drejt.

Në anën tjetër, kryeministri Haradinaj theksoi se arsyeja e tërheqjes së kësaj platforme është që tu jepet kohë grupeve parlamentare që të vinë me propozimet e tyre.

“Sot kam tërhequr platformën e Qeverisë e cila i është drejtuar parlamentit për shqyrtim. Për arsye se duke vërejtur një interesim të madh të forcave politike, si në parlament si jashtë për një debat të vazhdueshëm. Me i dhënë kohë atij debati dhe mos me krijuar thyerje mes grupeve politike, e kemi tërheq platformën për bisedimet me Serbinë. Me këtë i japim kohë spektrit politik grupeve parlamentare që të vijë me idetë e tyre, propozimet e tyre. Kosova ka nevojë të gjejë formulën e një përfaqësimi gjithëpërfshirës, në këtë teme kaq të rëndësishme. Si rezultat i konsultave që kemi pasur mes nesh dhe gjendjes që është krijuar në diskutimet publike në parlament, kam vlerësuar se ky është një veprim i duhur për kohën tani”, tha ai.

Ndryshe, kjo platformë nga Qeveria e Kosovës është prezantuar shumë shkurtë, në vetëm një faqe e gjysmë wordi, ku për këtë edhe ka pranuar kritika.

Analisti i KDI-së, Albert Krasniqi, duke ironizuar me paraqitjen e kësaj platforme ka thënë se për të parë seriozitetin e Qeverisë në raport me dialogu me Serbinë duhet shikuar platformën e cila është shumë e shkurtër.

Për të parë përmbajtjen e platofrmës, klinkoni këtu./Indeksonline/