20:33 / E Martë, 07 Gusht 2018 / indeksADMonline

LDK përfundon mbledhjen e Kryesisë: Thaçi nuk mund të drejtojë dialogun, duam zgjedhje të reja (Foto)

Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës ka mbajtur sot mbledhjen e radhës, e cila ka zgjatur më shumë se dy orë.

Në fillim mediave u është thënë se duhet të presin deri në fund të takimit, sepse kryetari Isa Mustafa do të mbaj një konferencë për media.

Por, pas më shumë se dy orë pritjeje, as Mustafa e as ndonjë tjetër zyrtar i LDK-së nuk është prononcuar, duke thënë shkurt se pas pak do të lëshojnë komunikatë për media, transmeton Indeksonline.

Kjo është komunikata e lëshuar nga LDK pas mbledhjes së kryesisë së partisë:

Lidhja Demokratike e Kosovës po ndjek me shumë kujdes debatin dhe qëndrimet lidhur me fazën finale të procesit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Lidhja Demokratike e Kosovës beson se çështjet e hapura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mund të zgjidhen vetëm përmes dialogut.

Lidhja Demokratike e Kosovës e vlerëson lart rolin e Bashkimit Evropian në këtë proces dhe përkrahjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si dhe beson se të dyja këto, sidomos në këtë fazë, duhet të jenë të përfshira plotësisht në proces.

Lidhja Demokratike e Kosovës thekson se ditëve të fundit, sidomos nga ana e Presidentit të vendit, janë bërë deklarata të pamatura, në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe me mandatin kushtetues të Presidentit, prandaj LDK-ja konsideron se është e domosdoshme që lidhur me këtë të kërkojë opinionin e Gjykatës Kushtetuese.

Presidenti i vendit ka dështuar që të ketë funksion unifikuesi dhe garantuesi të rendit kushtetues të vendit, duke cënuar pikërisht këtë rend, me anën e qëndrimeve të tij.

Lidhja Demokratike e Kosovës e përsërit edhe një herë se Presidenti nuk mund ta përfaqësojë Kosovën në këtë proces, sepse ai nuk është mandatuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.

Lidhja Demokratike e Kosovës ripërsërit se kufijtë dhe subjektiviteti shtetëror i Kosovës janë përcaktuar me Deklaratën e Pavarësisë, Opinion e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe thekson faktin se Kosova është pranuar nga shumica e kombeve të lira të botës. Prandaj, marrëveshja përfundimtare me Serbinë duhet të arrihet: duke mos e cënuar në asnjë formë integritetin territorial të Kosovës; duke e ruajtur karakterin unitar të shtetit të Kosovës dhe duke e respektuar frymën e Kushtetutës së Kosovës.

Lidhja Demokratike e Kosovës vlerëson se dialogu duhet të udhëhiqet nga institucionet kushtetuese të Republikës së Kosovës, pas verifikimit të legjitimitetit me anë të votës së qytetarëve të Kosovës në zgjedhje të parakohshme, meqë institucionet aktuale e kanë humbur fuqinë politike dhe legjitimitetin qytetar për ta drejtuar dhe për ta përfaqësuar Kosovën.

Lidhja Demokratike e Kosovës është e gatshme të bëhet pjesë aktive e procesit të dialogut, por vetëm pas legjitimimit qytetar përmes votës së lirë. /Indeksonline/

Temat: