13:50 / E Martë, 10 Korrik 2018 / indeksADMonline

Legjenda turke fajëson Federatën e Zvicrës: Humbët! Nuk i dënuat Xhakën dhe Shaqirin

Kubilay Turkyimaz, ish-futbollisti i Kombëtares së Zvicrës është deklaruar për shqiponjat e Xhakës dhe Shaqirit.

Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri u bënë bujë në mediat botërore, pasi në ndeshjen ndaj Serbisë festuan me shqiponjën, shkruan IndeksOnline.

Zvicerani me pasaportë turke fajëson Federatën e Futbollit të Zvicrës që nuk i dënoi yjet kosovare për gjestin e bërë.

“Edhe unë i kam pasur dy pasaporta, por kurrë nuk jam ndjerë si i huaj. Ndonjë federatë e fortë, do t’i pezullonte, Xhakën, Shaqirin dhe Lichtsteinern, për shqiponjën. Ata është dashur të dënohen për ndeshjen ndaj Kosta Rikës. Dhe ju garantoj që pas pezullimit ata do të ishin lojtarët më të mirë në ndeshjen e ardhshme”, ka thënë Turkyimaz.

Ai gjithashtu e kritikon trajnerin Vladimir Petkovic, pasi nuk e zëvendësoi Xhakën dhe Shaqirin në ndeshjen ndaj Suedisë.

“Është e qartë se lojtarët me rrënjë nga Ballkani kanë një afinitet të veçantë me atdheun e tyre për shkak të luftës. Unë e kuptoj këtë, por futbolli është futboll”, shtoi ish-lojtari i Zvicrës.

Kujtojmë që 51-vjeçari kishte luajtur për skuadrat, si; Bologna, Galatasaray, Grasshopper…/IndeksOnline/