12:29 / E Mërkurë, 23 Maj 2018 / indeksADMonline

Legjendat e Prishtinës në përkrahje të Fadil Vokrrit (FOTO)

Ndeshja në mes të Prishtinës dhe Dritës në xhiron e fundit të Superligës së Kosovës ishte e shoqëruar edhe me momente negative.

Tifozët e skuadrës nga kryeqyteti kënduan kore kundër Presidentit të FFK-së, Fadil Vokrri.

Megjithatë, Vokrri ka dhënë një kontribut të madh për Prishtinën gjatë kohës kur ishte futbollist madje dhe kapiten i skuadrës.

Bashkëlojtarët e tij kanë organizuar një tryezë në mbështetje të tij kundër sulmeve nga disa individ jo kompetent dhe të papërgjegjshëm.

Shefqet Sinani, Isa Sadriu, Ramiz Krasniqi, Agim Cana, Ajet Shosholli, Sahit Kelmendi, Ramadan Cimili, Jusuf Tortoshi dhe Muharrem Sahiti dhe të tjerë ishin të mbledhur në këtë tubim.

Ata shprehën përkrahjen për ish-kapitenin e tyre që shkruan historinë në kohën e artë të Prishtinës. /IndeksOnline/

Më poshtë mund të gjeni komunikatën e plotë të lexuar nga Ajet Shosholli

Të nderuar,

Si një prej trajnerëve të parë të gjeneratës që solli gëzimin më të madh te adhuruesit e futbollit në Kosovë, gjeneratës së artë të Prishtinës dhe me pajtimin e tyre kam vendosur që të flas në emër të gjithë bashkëlojtarëve të dikurshëm e miqëve të mij të sotëm në lidhje me zhvillimet e fundit në futbollin tonë.

Jemi mbledhur e kemi diskutuar dhe jemi thellësisht të zhgënjyer e të indinjuar me ato që kemi dëgjuar e lexuar në media gjatë këtyre ditëve, me sjelljet e ish klubit tonë të cilin dikur e prezantonim me shumë krenari edhe në shumë shtete tjera përveç Kosovës.

Jemi posaçërisht të indinjuar me akuzat që ish klubi ynë Prishtina po i bën në drejtim të kapitenit dhe ikonës së Prishtinës por edhe të futbollit tonë, Fadil Vokrrit.

Është e pakuptimit që kryesia aktuale e klubit që në fakt nuk ka asnjë lidhje me futbollin dhe me klubin e dikurshëm për cdo dështim të tyrin e dorën në zemër ato dështime po janë të shpeshta e të shumta, provojnë ta manipulojnë opinionin dhe cdo herë si fajtor kujdestar gjejnë ish kapitenin tonë, Vokrrin, njeriun me të cilin krenoheshim jo vetëm ne por e tërë Kosova e më gjerë.

Dua t’ ua përkujtoi këtyre zotërinjve që nuk kanë shumë lidhje me emrin e vërtetë të Prishtinë e aq më pak me futbollin, duhet ta dinë që klubi i Prishtinës është themeluar në vitin 1922 e jo në vitin 2006-të, Prishtina ka ekzistuar madje shumë më suksesshëm shumë kohë para tyre, por asnjëherë nuk ka pasur qellim që për dështimet e saj gjithmonë të fajësoi dikë tjetër, siç po bëjnë këta zotrinjë tani.

Në vitet e ish Jugosllavisë klubi ynë është përballur kundër një sistemi të tërë që ka provuar ta pengoj në cdo segment, por kemi luajtur e ua kemi mbyllu gojën me futboll dhe nuk jemi ankuar edhe pse atë kohë kemi pasur shumë arsye, për dallim prej tash kur nuk ekziston as arsyeja më e vogël për të ndjellur luftë të tillë, për të përgatitur skenare të tilla, sidomos ndaj një njeriu që e ka ngritur lartë e më lartë emrin e Prishtinës ndër vite.

Ju po e manipuloni opinionin në cdo mënyrë, sido që të jetë kam vetëm një pyetje për ju. Pse në rrethin tuaj nuk është asnjë prej ish futbollistëve të klubit, as një prej ish pjesëtarëve të gjeneratës së artë. Si i keni sabotuar të gjithë, si i keni larguar nga klubi të gjithë, Vokrrin, Muriqin, Cimilin, Rugovën, Krasniqin, Shengylin, Shalen, Sinanin e shumë të tjerë me radhë. Mbase njohuria dhe përvoja e tyre në futboll u’a penguar që të zbatoni planet tuaja për të përfituar materialisht e për të bërë emër në krah të klubit tonë?!!!

Po e shoh që publiku prishtinas është i manipuluar deri në një masë, por ka filluar ta kuptoj të vërtetën, ka nisur ti njoh më mirë këta individë që deri sa kanë ardhur në klubin e Prishtinës kurr në jetën e tyre nuk kanë pasur as një lidhje me futbollin.

Publiku prishtinas duhet ta kuptoj pse klubi ynë urrehet pothuajse cdokund në Kosovë?

Pse klubi ynë ka humbur simpatinë në tërë vendin?

Apo ndoshta të gjithë janë të këqinjë e vetëm ju jeni engjujt e këtij futbolli.

Para se të mbyll këtë reagim në emër të gjithë ish pjesëtarëve të gjeneratës së artë, si një njeri me shumë përvojë në futboll, për dallim prej zyrtarëve të klubit të cilëve përvoja u mungon komplet, dua ta themi se secilit prej nesh i dhemb ta shoh Prishtinën në këtë situatë, prandaj përkundër të gjithave, i sugjerojmë klubit tonë që në vend se të merret me insinuata e me përgatitjen e skenarëve për të ofendura e akuzuar të tjerët, të merret me organizim më të mirë e ta kthej Prishtinën në vendin që i takon. Titulli i Kampionit në Kosovë as që duhet të diskutohet, por duhet të mëtohën sukseset edhe në Evropë, atje ku tani luajmë sidomos fal punës e angazhimit të njeriut të cilin sot Prishtina e ka si fajtor kujdestar për dështimet e saj, Kryetarit të Federatës dhe ish bashkëlojtarit tonë, Fadil Vokrrit.