14:30 / E Mërkurë, 23 Maj 2018 / indeksADMonline

Lekaj ofron përkrahje për Autoritetin e Aviacionit Civil të Kosovës

Ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj me bashkëpunëtorë, vizitoi Autoritetin e Aviacionit Civil të Kosovës (AACK), ku u takua me Drejtorin e përgjithshëm të AACK-së, Driton Gjonbalaj dhe stafin e AACK-së.

Në takim u bisedua për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit në mes të këtyre dy institucioneve në shërbim të funksionimit të harmonizuar mes ministrisë, si përgjegjëse për rregullimin ekonomik të aviacionit civil dhe agjencisë, si përgjegjëse për sigurinë ajrore dhe fizike të aviacionit civil në vend.

Sipas kumtesës dërguar nga Ministria e Infrastrukturës, Ministri Lekaj tha se AACK duhet të avancojë në ofrimin e shërbimeve dhe marrjen e përgjegjësive shtesë që i takojnë në fushën e aviacionit civil, si dhe në avancimin e resurseve profesionale, në mënyrë që edhe aty ku ka sfida, të tejkalohen me profesionalizëm dhe në shërbim të qytetarëve dhe të vendit tonë.

Lekaj ka treguar gatishmërinë e ministrisë që drejton, për përkrahje të pa rezervë kurdo që është e nevojshme dhe kurdo që kërkohet një gjë e tillë.

Drejtori i përgjithshëm i AACK-së, Driton Gjonbalaj, ka shprehur gatishmërinë e institucionit që drejton, për thellim të bashkëpunimit dhe veprimeve për anëtarësim të AACK-së në organizatat ndërkombëtare të aviacionit civil, si ai i ICAO-s, duke kërkuar edhe përkrahjen e ministrit Lekaj.

Në këtë takim u bisedua edhe për normalizimin e hapësirës ajrore, ku u tha se ky proces nuk do të ndalet deri në normalizimin e plotë të hapësirës ajrore të Kosovës.

Temat: