15:37 / E Martë, 23 Janar 2018 / indeksADMonline

Lekaj: Pretendimet e kompanisë “Bechtel-Enka” i takojnë periudhës qeverisëse 2014-2016

Sot, në mbledhjen e  Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal, kryesuar nga Sala Berisha-Shala, kryetare e Komisionit, ka raportuar ministri i Ministrisë së Infrastrukturës, Pal Lekaj.

Raporti i ministrit Lekaj kishte të bënte me pretendimet për penale të kontraktuesit “Bechtel-Enka” ndaj Qeverisë së Republikës së Kosovës, lidhur me ndërtimin e autostradës “Arbër Xhaferi”.

Me këtë rast, ministri Lekaj në mënyrë kronologjike foli për ecurinë e zbatimit të kontratës ndërmjet kësaj kompanie dhe Qeverisë, duke pohuar se si pasojë e mospërmbushjes së obligimeve nga Qeveria, kjo kompani ka shfaqur pretendimin e saj për një kompensim prej 63 milionë euro.

“Pas vonesës së pagesave nga ana e Qeverisë së Kosovës për punët e kryera nga kontraktori dhe rrjedhimisht ngecjes në përparimin e ndërtimit sipas planit dinamik, Qeveria e Kosovës është e detyruar të kërkojë zgjatjen e afatit për përfundimin e punimeve”, tha ministri Lekaj, dhe shtoi më pas: “Më 30 shtator, kryesuesi i Komitetit Ndërministror (ish-ministri Lutfi Zharku), kishte kërkuar nga Qeveria aprovimin e aneksit të kontratës për zgjatje të afatit për përfundimin e punimeve deri më 31. 12. 2018, me një kosto prej 14, 778, 654,78 euro, por, Qeveria nuk e kishte miratuar këtë kërkesë, me arsyetimin se lidhur me këtë duhet të vendosë Komiteti Ndërministror”.

Në sqarimin e mëtejmë, ministri bëri të ditur se kontraktuesi, përkatësisht kompania “Bechtel-Enka”, në emër të zgjatjes së kontratës deri më 31. 12. 2018, është duke kërkuar dëmshpërblim në një kosto prej 63 milionë euro, transmeton Indeksonline.

Duke folur për masat e ndërmarra nga Ministria kundruall kësaj situate, ministri Lekaj njoftoi se Ministria ka kërkuar nga mbikëqyrësi i kontratës, përkatësisht kompania “HillInternational”, të hartojë një opinion lidhur me arsyeshmërinë e kërkesës së kontraktorit. Opinioni i paraqitur nga “HillInternational”, tha ministri, ka rezultuar që pretendimet e kontraktuesit për pagesë sipas planit bazë janë të qëndrueshme.

Duke dhënë sqarime të mëtejme lidhur me këtë çështje, ministri Lekaj nënvizoi se pretendimet e kompanisë “Bechtel-Enka” i takojnëperiudhës qeverisëse 2014- 2016, ndërkaq, mospërmbushja e obligimeve ndaj kompanisë ka sjellë deri në këtë situatë, për të cilën ai shprehu besimin se do të tejkalohet me negociata të ndërsjella.

Pas kësaj, ministri u është përgjigjur pyetjeve dhe shqetësimeve që ngritën anëtarët e komisionit, të cilët ndër të tjera kërkuan që kontrata për ndërtimin e autorrugës “ArberXhaferi” të bëhet publike sa më parë.

Pas  kësaj, mbledhja ka vijuar me shqyrtimin e vendimit të Qeverisë nr.17/21 datë 22.12.2017 për emërimin e anëtarëve të Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, i cili nuk është përkrahur nga komisioni, ndërkaq, është miratuar Plani i Punës së Komisionit për vitin 2018, thuhet në komunikatën për media./Indeksonline/