19:05 / E Hënë, 04 Qershor 2018 / indeksADMonline

Limaj në Lipjan thotë se Kosovës i duhet një politikë njerëzore

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj ka paralajmëruar se gjatë muajit qershor, Kosova do të marr lajmin e madh për vizat.

Ai ka thënë se rekomandimi do të jetë pozitiv dhe se deri në fund të vitit qytetarët e Kosovës do të lëvizin lirshëm në zonën shengen.

Limaj, i cili mori pjesë në Kuvendin e Punës të Nismës në Lipjan ka thënë se edhe Nisma ka dhënë një kontribut të çmuar për marrjen e liberalizimit të vizave, raporton Indeksonline.

Sa i përket degës së Nismës në Lipjan, ai ka theksuar se pas këtij Kuvendi të Punës, kjo degë do të dalë edhe më e fuqishme dhe e strukturuar.

“Fillimet kanë qenë të vështira, jo të lehta dhe më shumë dilema rreth suksesit të këtij projekti politik. Katër vite me parë ka pasur dilema se cili do të jetë fati i këtij subjekti politik. Nisma për katër vite ka arritur që të shtrihet dhe fuqizohet anekënd Kosovës dhe të bëhet pjesë e pandashme e jetës politike në Kosovë”, ka thënë Limaj të hënën në Lipjan.

Më tutje, ai ka thënë se çelësi i suksesit të Nismës është përkushtimi dhe besimi në punën ekipore.

“Ne jo veç që jemi faktor, por jemi kthyer në një faktor shpresë për njerëzit në Kosovë. Ne po e ndryshojmë dalë ngadalë percepsionin për politikën në Kosovë. Ne do të vazhdojmë këtë rrugë dhe këtë frymë. Ne kemi arritur që në skenën politike të Kosovës që paraqet program shkon dhe realizon programin. Në zgjedhjet e kaluara kemi pasur katër zotime dhe të katërtat po implementohen në programin qeverisës. Në po punojmë në realizimin e tyre dhe do të vazhdojmë kështu”, ka shtuar Limaj.

Marrja me politikë, sipas Limajt, është fisnikëri dhe se zbulimi më i madh i njerëzimit është politika.

“Kosovës i duhet një politikë njerëzore. Ne do t’i shërbejmë vendit për aq sa dimë dhe mundemi. Puna për vendin është obligim i secilit dhe kjo nuk matet me vota. Krejt votuesit që i ka pasur Nisma i ka me zemër. Unë nuk i shkoj prapa një njeriut që nuk i besoj. Është e vetmja rrugë për të pasur suksese”, ka theksuar Limaj.

E, kryetari i degës së Nismës në Lipjan, Heset Sahiti ka thënë se Nisma në Lipjan po merr mbështetje çdo ditë e më shumë tek qytetarët e Lipjanit.

Ai tha se Dega e Nismës në Lipjan është e konsoliduar jashtëzakonisht mirë.

Sipas tij, qeverisjes komunale në Lipjan i duhet vizioni dhe platforma e Nismës.

Sahiti bëri me dije se në Lipjan ka pasur aderime të reja të cilët, sipas tij, po e vlerësojnë Nismën për qëndrimin e saj karshi temave të mëdha për vendin.

Ai u zotua Lipjanin nga zgjedhjet e ardhshme do ta udhëheqë Nisma Socialdemokrate.

Ndryshe, Nisma tash e disa ditë ka nis organizimin e Kuvendeve të Punës nëpër të gjitha degët e saj. Ky proces pritet të kulmoj më 24 gusht kur edhe do të mbahet Kuvendi qendror i këtij subjekti. /Indeksonline/