21:19 / E Martë, 30 Janar 2018 / indeksADMonline

Limaj për Gjykatën Speciale: Nuk e cenojmë interesin e shtetit për interesa personal

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj, duke komentuar zhvillimet e fundit rreth Gjykatës Speciale ka thënë se Nisma Socialdemokrate është për të vënë drejtësinë dhe nuk cenojnë interesin e shtetit për interesa personale.

Limaj në “Intervistën me Blerimin” në RTK ka thënë se ata janë për hetimin e çdo krimi të dyshuar të luftës por jo t’i jepet emërtim gjykatës, transmeton Indeksonline.

“Qëndrimi ynë në 2015 ka qenë i qartë, po nuk është dëgjuar shumë. Para se me ardhë kjo në Parlament, na kemi kërkuar që të tregohet si do të ndodh ky proces, si me ndodh, me artikulu politikisht e juridikisht. Nisma nuk ka ditur asgjë, ka qenë ky proces i mbyllur, derisa u ardh në parlament ne nuk kemi ditur asgjë. Duke mos pasur qasje, këtë punë e ka përgatitur dikush tjetër. Jemi munduar me dhënë qëndrimin tonë, nuk mundemi me i thënë jo drejtësisë, unë vet jam përballë”, ka thënë Limaj.

Sipas tij, Nisma Socialdemokrate është për gjykimin ose për hetimin e krimeve të luftës të dyshuara në vendin tonë, por jo emërtim.

“Të kemi kujdes si të emërtojmë, nuk duhet të ndërtohet proces me emra të njerëzve, por provat të na dërgojnë të njerëzit, ky ka qenë qëndrimi ynë në 2015, është e dëshmshme por shumë ma i dëshmshem është fuqizimi i Speciales. E kemi dëshmuar deri me tani, se nuk mundemi me vënë interesin personal para vendit, nuk e cenojmë interesin e shtetit për asnjë individ dhe këtë e kemi fol me vepër. Edhe në Hagë unë kam thënë, fati i Kosovës është më i madh se fati i individëve”, ka thënë Limaj./Indeksonline/