13:01 / E Premte, 14 Shtator 2018

Limaj takon Bushatin, paralajmëron vendime të mëdha në mbledhjen e ardhshme mes dy qeverive

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj ka pritur në takim ministrin për Europë dhe Punë të Jashtme në Republikën e Shqipërisë, Ditmir Bushatin.

Limaj ka bërë me dije se në këtë takim është diskutuar për parapërgatitjet për mbledhjen e dy qeverive shqiptare që pritet të mbahet gjatë këtij viti.

Objektivat e dy shteteve sipas Limajt, janë të qarta: Rritja dhe thëllimi i bashkëpunimit ekonomik Kosovë- Shqipëri mes dy vendeve.

“Unë besoj që parapërgatitjet që kemi filluar për mbajtjen e mbledhjes përbashkët do të rezultojnë me veprime konkrete të cilat do t’i shërbejnë ekonomisë së vendit, lehtësirave ekonomikë, thjeshtësimit të procedurave dhe lëvizjes se lirë të qytetarëve andej e këndej kufirit”, ka shkruar ndër të tjera Limaj në llogarinë e tij në ‘Facebook’.

Shkrimi i plotë i Limajt:

Kënaqësi ta prisja për vizitë ministrin për Evropë dhe Punë të Jashtme në Republikën e Shqipërisë, Ditmir Bushatin.

Temë qendrore e këtij takimi ishin parapërgatitjet për mbledhjen e dy qeverive, të Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, që pritet të mbahet në nëntor të këtij viti.
Si të ngarkuar nga dy qeveritë për t’i udhëhequr dhe koordinuar politikat ekonomike ndërshtetërore, u pajtuam në disa nga hapat që duhet t’i ndërmarrim para mbajtjes së kësaj mbledhjeje.

Unë besoj që parapërgatitjet që i kemi filluar për mbajtjen e mbledhjes së përbashkët, do të rezultojnë me veprime konkrete të cilat do t’i shërbejnë ekonomisë së vendit, lehtësirave ekonomike, thjeshtësimit të procedurave dhe lëvizjes së lirë të qytetarëve andej e këndej kufirit.

Është vullnet i dyanshëm për ta rritur bashkëpunimin në të gjitha fushat, e me theks të veçantë në fushën e ekonomisë mes dy vendeve.

Edhe ne jemi të përkushtuar të bëjmë hapa konkretë dhe besoj që mbledhja e ardhshme do të mbahet mend për disa vendime të rëndësishme që do të merren përfundimisht dhe bashkëpunimin Tiranë-Prishtinë do ta kthejmë në një nivel krejt tjetër.FL