17:17 / E Diele, 04 Shkurt 2018 / indeksADMonline

Lipjani me mungesë të barnave esenciale

Mungesa e barnave të listës esenciale, mungesa e ofrimit të shërbimit të infuzionit, si dhe ajo e shërbimit të patronazhit, janë disa nga çështjet për të cilat urgjentisht duhet gjetur zgjidhje në komunën e Lipjanit.

Kështu tha drejtori i Youth Association for Human Rights – YAHR, Bekim Krasniqi, shpjegoi se si gjatë vitit të kaluar kanë marrë një mori ankesash nga qytetarë dhe pacientë të cilët janë ballafaquar me probleme të shumta kur kanë pasur nevojë të marrin shërbimeve shëndetësore në këtë komunë.

Sipas tij, mungesa e ofrimit të shërbimeve adekuate në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Lipjan, ka bërë që qytetarët t’iu drejtohen klinikave private, gjë që siç thotë ai, është mjaft e kushtueshme kur dihet edhe situata ekonomike në vend.

“Ankesat janë prej më të ndryshmeve. Fillojnë nga mungesa e barnave të listës esenciale, që është një problem i nivelit qendror dhe Ministria e Shëndetësisë nuk e furnizon QKMF-të lokale nëpër komuna. Për shembull është rasti tek shërbimi i infuzionit, ku mungojnë elementet kryesore për dhënien e infuzionit e qytetarët detyrohen t’i blejnë ato. …Është një shqetësim i përgjithshëm i qytetarëve, sidomos i atyre që janë në gjendje të rëndë shëndetësore, që një shërbim i ashtuquajtur i patronazhit, që është shërbim direkt që u bëhet në shtëpi, pacientëve që janë në gjendje të rëndë shëndetësore, mungon në komunën e Lipjanit. Kështu që familjarët e pacientëve detyrohen të kërkojnë zgjidhje tek shërbimet shëndetësore private që është e kushtueshme, në komunat e tjera ekziston ky shërbim, por në komunën e Lipjanit jo”, tha ai.

Për këtë, Krasniqi tha se përmes një letre të hapur drejtuar drejtoreshës së Shëndetësisë në Lipjan, Vlora Limani Hajnuni, kanë kërkuar që ky shërbim t’iu mundësohet qytetarëve dhe pacientëve që janë në gjendje të rëndë shëndetësore.

Tutje, Krasniqi tha se ka pasur edhe ankesa sa i përket menaxhimit në QKMF, përkatësisht për mungesë të trajtimit të barabartë të pacientëve dhe moszbatim të orarit të punës nga stafi punonjës aty. E për këtë, ai bëri të ditur se përmes letrës në fjalë, kanë kërkuar ristrukturim të shërbimit shëndetësor në QKMF.

“Kemi hasur në shqetësime të pacientëve që na janë ankuar neve se nuk ka një trajtim të barabartë, por iu jepet përparësi pacientëve të ndryshëm që janë të afërm të stafit në QKMF. Po ashtu, ne përmes kësaj letre kemi kërkuar që të bëhet ristrukturimi i shërbimit shëndetësor në QKMF. Kemi hasur edhe në mosrespektim të orarit të punës që punojnë, ku kemi kërkuar një mbikëqyrje më të rreptë… Kemi kërkuar që të krijohen kushte, që të fillohet të ndërtohet një objekt i ri i QKMF-së, që do t’i plotësonte nevojat e trajtimit të pacientëve të ndryshëm në nivel lokal”, tha Krasniqi.

Ndërsa drejtoresha e Shëndetësisë në Lipjan, Vlora Limani Hajnuni, nuk i mohon problemet që tashmë janë evidente në komunën e Lipjanit, porse thotë se deri në fund të mandatit këto çështje do të zgjidhen përfundimisht.

Ajo përmes telefonit, tha se për shkak të përputhjes së madhe të përmbajtjes së letrës e cila i është drejtuar asaj, dhe planit orientues të drejtorisë, i cili tashmë është i protokolluar, ngjan sikur Bekim Krasniqi ta kishte këtë të fundit në duar.

“Ne e kemi protokolluar planin orientues të drejtorisë, i cili tashmë është i protokolluar. Ngjanë sikur ata që kanë parashtruar këto kërkesa ta kenë atë plan në duar, sepse të gjitha ato pika janë në planin tonë, ku do të bëhet përpjekje maksimale për zbatimin e tij sa më parë. Ndoshta brenda një viti jo, por deri në fund të mandatit këto çështje do të zgjidhen”, bëri të ditur Hajnuni.

Se komuna e Lipjanit po ballafaqohet me mungesë të barnave të listës esenciale, ku si rrjedhojë këtë më së shumti po e vuajnë pacientët e kësaj komune, bëhet e ditur edhe përmes një njoftimi zyrtar që kjo e fundit ka lëshuar për të kërkuar mirëkuptim nga pacientët e kësaj komune.

“Të nderuar qytetarë ju njoftojmë se furnizimi me barna nga lista esenciale e veçanërisht furnizimi me insulinë bëhet nga Ministria e Shëndetësisë e që nga dhjetori i vitit të kaluar e deri më sot nuk është bërë furnizimi i rregullt me sasi të mjaftueshme sidomos me Insulinë. Prandaj Drejtoria për Shëndetësi dhe Përkujdesje Sociale kërkon mirëkuptimin e gjithë pacienteve që trajtohen me insulinë dhe që furnizohen nga Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Lipjan për mungesën e këtij medikamenti”, thuhet në njoftimin e komunës së Lipjanit.

Ndryshe, të kontaktuar përmes telefonit edhe me drejtorin e QKMF-së në Lipjan, Agim Krasniqin, i cili nuk ka dashur të prononcohet, porse tha se ditëve në vijim do të flasë lidhur me këtë çështje.