16:47 / E Hënë, 17 Shtator 2018 / indeksADMonline

Lirohen dy gardianët e burgut të Dubravës

Prokuroria Themelore e Pejës ka konfirmuar për “Indeksonline” se dy gardianët e burgut të Dubravës janë liruar në procedurë të rregullt.

Ata ishin ndaluar nën dyshimin se kishin kryer vepër penale “Mundësi e arratisjes së personave të privuar nga liria” nga neni 406 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Ndërkaq, lirimin e tyre e ka bërë të ditur zyrtari për informim i Prokurorisë në Pejë, Shkodran Nikçi.

Kësisoj, sipas  afatit ligjor, Prokurori i Shtetit nuk e ka parë të arsyeshme që të bëjë kërkesë te Gjykata kompetente për caktimin e ndonjë mase tjetër të ndalimit.

“Me vendim të prokurorit të shtetit, dy të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt”, është shprehur Nikçi për Indeksonline.

Më tutje, ai ka shtuar se lidhur me këtë rast janë duke u ndërmarr veprimet hetimore.

Rikujtojmë, se të arratisurit  nga burgu i Dubravës janë K.G nga Ferizaj më vendbanim në Prishtinë për vepër penale “Vjedhje e rëndë” si dhe SH. N, nga Republika e Maqedonisë për vepër penale “Vjedhje e rëndë”.

Ndryshe, deri më tani dihet se derisa të burgosurit ishin duke punuar në pavijonin ‘D’ si pastrues kanë shfrytëzuar situatën dhe janë arratisur./Indeksonline/