17:16 / E Enjte, 07 Qershor 2018 / indeksADMonline

Lirohet nga akuza për korrupsion drejtori i Arsimit në Komunën e Deçanit

Gjykata Themelore në Pejë, të enjten, ka shpallur aktgjykim lirues ndaj drejtorit të Arsimit në Komunën e Deçanit, Qazim Maloku, i akuzuar për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Aktgjykimi është shpallur nga kryetarja e trupit gjykues, Lumturije Muhaxheri, ku sipas saj, nuk është provuar se i akuzuari ka kryer veprën penale me të cilën ngarkohej.

Në shpalljen e aktgjykimit ishin prezent, i akuzuari Qazim Maloku dhe përfaqësuesi i autorizuar, avokati Isa Osdautaj, kurse mungoi prokurori i çështjes, Haxhi Sinanaj.

Gjithashtu, gjykatësja Muhaxheri i njoftoi palët prezent se kundër këtij aktgjykimi kanë të drejtë ankese në afat prej 15 ditësh, nga dita e pranimit të aktgjykimit me shkrim, raporton betimiperdrejtesi.com.

Ndryshe, sipas aktakuzës, Qazim Maloku, më 3 nëntor 2011, si person zyrtar nuk i ka përmbushur detyrat zyrtare, me qëllim që tjetri të përfitojë.

Këtë, sipas aktakuzës, e ka bërë duke lëshuar rekomandim në kundërshtim me Ligjin për Vetëqeverisje Lokale, me të cilin personin e quajtur Xhevat Bozhdaraj e cakton në punën Koordinator Komunal për Qendrën Zhvillimore Profesionale në Shkollën e Mesme të Ulët “Lidhja e Prizrenit”, pa përgatitje adekuate shkollore.

Sipas aktakuzës, më pas me të njëjtin lidhë kontratë pune për lëndën histori-gjeografi, nga e cila i njëjti merr pagat mujore pa e kryer asnjëherë këtë punë, duke e dëmtuar buxhetin e Komunës së Deçanit në shumën prej 12.389.00 euro.