21:38 / E Mërkurë, 27 Qershor 2018 / indeksADMonline

Lista Serbe i reagon Qeverisë së Kosovës

Zyra e kryeministri të Kosovës ka kthyer prapa raportin e dorëzuar në gjuhën serbe dhe në alfabetin ‘cirilik’ që ka të bëjë me Asociacionin.

Raporti në fjalë është dorëzuar në Qeverinë e Kosovës nga Ekipi menaxhues për hartimin e statutit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

Lidhur me këtë ka reaguar edhe deputeti i Listës Serbe, Igor Simiq. Simiq ka thënë se kjo gjë ka treguar edhe një herë se si qëndrojnë marrëdhëniet në mes serbëve dhe institucioneve të Kosovës.

Simiq ndër të tjerash ka deklaruar se situata aktuale në Kosovë është shqetësuese duke thënë se mirëpret vazhdimin e dialogut në Bruksel, por gjithashtu kritikoi Qeverinë e Kosovës që nuk pranoi dokumentin e shkruar në ‘cirilika’ lidhur me Asociacionin.

“Ky është një tjetër fakt që tregon marrëdhëniet me institucionet në Prishtinë, si dhe përfaqësuesit e tyre për serbët. Në këtë rast, përsëri, ne jemi  duke folur për të drejtën e gjuhëve pra për shkeljet edhe pse gjuha serbe është gjuhë zyrtare dhe absolutisht e barabartë me shqiptarët në Kosovë”, ka thënë Simiq, transmeton Indeksonline.

Simiq gjithashtu ka thënë se është i shqetësuar për faktin se autorët e incidenteve të shumta që kanë ndodhur në dy muajt e fundit në Kosovë ende nuk janë zbuluar.

Sipas tij çdo marrëveshje e cila arrihet në Bruksel është një hap tutje drejt paqes dhe sigurisë për serbët në Kosovë./Indeksonline/