18:36 / E Hënë, 06 Gusht 2018 / indeksADMonline

Lladrovci propozon tri rrugë për Drenasin, për Demaçin, Vokrrin dhe Lumin

Kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka marrë vendim të propozoj tri rrugë për tri personalitete të shquara që kaluan në amshim, për Adem Demaçin, Fadil Vokrrin dhe Bekim Lumin.

Lladrovci ka dhënë edhe arsyetimet e shkurtëra për secilin, duke i vlerësuar me këtë vendim.

Shkrimi i plotë i Lladrovcit:

“Për Mbledhjen e radhës së Komisionit për emërimin e rrugëve në komunën e Drenasit, kam marrë vendim të propozoj që tri rrugë të bartin emrin e tri personaliteteve tona që kaluan në amshim, Adem Demaçi, Fadil Vokrri dhe Bekim Lumi. “Rruga Adem Demaçi”, do të jetë rruga që përjetëson dhe lartëson Bacën Adem në qytetin tonë, duke e bërë pjesë të jetës tonë, kujtesës dhe nderimit të përjetshëm për të. Me veprimtarinë e tij patriotike, si asnjë tjetër në historinë tonë, mbi 6 dekada, Baca Adem, ishte ndërgjegjja dhe boshti kurrizor i rezistencës, qëndresës dhe krenarisë tonë, përball okupatorit shekullor. Rruga e tij, u njëjtësua me rrugën e popullit tonë për çlirim, liri dhe barazi.

“Rruga Fadil Vokrri”, do të jetë rruga tjetër në komunën tonë që do të nderoj jo vetëm futbollistin me nam, por edhe krenarinë tonë në ndërkombëtarizimin e sportit më të popullarizuar në botë. Ai do të udhëheq me sukses pranimin e përfaqësueses së Kosovës në UEFA dhe FIFA, duke e bërë Kosovën për herë të parë, të barabartë me shtet tjera në botë në gara të futbollit, popullarizimin e sportit dhe armatës së sportdashësve. “Rruga Bekim Lumi”, do të jetë rruga tjetër e propozuar, që do të përjetësojë jetën dhe veprën e Bekim Lumit në skenën teatrore, të regjisë së dramave, të papara ndër ne, duke përcjell mesazhin me cilësi të jashtëzakonshme. Ai, me jetën e tij, veprën dhe personalitetin e tij, bëri që të jetë i paharrueshëm emri i tij, jo vetëm në teatër por edhe si profesor, pedagog dhe personalitet i çmuar i artit që tejkalon kufijtë e kombit tonë. Pres që Komisioni të vlerësoj këto propozime, duke emërtuar tri rrugë, duke e bërë qytetin tonë më të pasur me emra personalitetesh që kanë kontribuar për vendin dhe kombin tonë.”