12:28 / E Diele, 09 Shtator 2018 / indeksADMonline

Lladrovci: Qytetarët e Drenicës e ndalën vizitën e Vuçiqit

I pari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci ka protestuar me shumë qytetarë kundër vizitës së presidentit serb, Aleksandër Vuçiqit.

“Qytetarët e Drenicës normalisht që e kanë ndalë vizitën e tij, sepse Vuçiqi nuk mund të kalojë territorin që kanë bërë krime.”, ka thënë Lladrovci në një prononcim për Indeksonline.

Sipas tij, revolta ka qenë e drejtë pasi që një president që pretendon ta zhvillojë demokracinë duhet të kërkojë fillimisht falje pastaj të realizojë vizita.

“Revolta ka qenë shumë e drejtë. Një presdent që pretentdon të zhvillojë demokracinë duhet të kërkojë falje e pastaj të mund të lëvizë e të bëjë vizita.”, ka theksuar tutje ai.

Lladrovci konsideron se KFOR-I nuk janë aleat të Vuçiqit por të qytetarëve të Kosovës, dhe në këtë mënyrë nuk mund të bënin diçka më shumë rreth vizitës së tij.

“KFOR-i nuk janë aleat të Vuçiqit por të qytetarëve të Kosovës. KFOR ka qenë në luftë me Serbinë dhe nuk mundet me i mundësu Vuçiqit vizitë në Drenicë pa pëlqimin e qytetarëve të Drenicës, pasi që ata e kanë vuajtur shumë për krimet që u janë bërë”, ka shtuar tutje ai.

Ndryshe, pas protestës nga ana e shumë banorëve për të zhvilluar vizitë në Drenicë, Vuçiq aktualisht ndodhet në veri të Mitrovicës, derisa po mban një fjalim para qytetarëve atje./Indeksonline/