17:53 / E Premte, 13 Tetor 2017

Lluka e Epërme bëhet me monografi

Monografia për fshatin Llukë e Epërme, e shkruar nga një llukjan i cili që sa vite jeton në Gjermani, ka dalë nga shtypi.

Pos parathënies, në të cilën autori, Arif Molliqi, shpjegon rreth përgatitjes së këtij libri mjaft me interes për studiuesit e trevave të Kosovës, ka edhe dhjetë kapituj, në të cilët shkruhet për: pozitën gjeografike të Llukës së Epërme; për toponimet dhe mikrotoponimet në Llukë të Epërme; për zhvillimin historik dhe shoqëror të këtij fshati; për zhvillimin ekonomik, urbanizmin dhe arkitekturën popullore të këtij fshati; për popullsinë e Llukës së Epërme; për familjet, fiset dhe lagjet; për Verrat e Llukës; për kuvendin dhe besëlidhjen shqiptare të nisur në Verrat e Llukës që para Lidhjes Shqiptare të Prizrenit; për luftën ballkanike dhe për pjesëmarrësit e banorëve të fshatit Llukë e Epërme në të; për kolonizimin e Kosovës; për Llukën e Epërme gjatë Luftës së Dytë Botërore; për shkollimin dhe kulturën shpirtërore të këtij fshati si dhe për epikën historike dhe traditën popullore në Llukë të Epërme.

Molliqi në parathënien e librit bën me dije se disa të dhëna për Llukën e Epërme i ka marrë nga studimet shkencore të disa studiuesve shqiptarë të bëra për Deçanin me rrethinë.

Ndërkaq, punën shkencore e ka bërë edhe duke dalë në terren, duke mbledhur materiale gojore nga populli për të kaluarën e këtij fshati, për luftën që ka bërë nëpër vite për ta mbrojtur vendin, për luftën e pjesëtarëve të UÇK-së të kësaj ane, për doket dhe zakonet, për kulturën e tij materiale dhe atë shpirtërore.

Edhe pse thotë se mund të jetë bërë ndonjë gabim gjatë përpilimit të gjenealogjisë së emrave të disa familjarëve të familjeve të hershme të Llukës së Epërme, është i bindur se “kjo monografi do të mbetet përpjekja jonë që brezave që vijnë t’ua lëmë një nismë ku ata do të mund të vazhdojnë aty ku e kam lënë unë. Ata me siguri se do t’i plotësojnë ato zbrazëtira që i ka kjo monografi. Uroj që ata do t’i evitojnë lëshimet që më kanë shpëtuar pa qëllim”.

Dy fjalë për autorin

Arif Molliqi para 64 vjetësh hapi sytë në Llukë të Epërme. Në moshën e rinisë filloi të shkruajë poezi. Dalëngadalë, pa hequr asnjëherë dorë nga leximi, nga letërsia, nga studimi dhe nga makina e shkrimit dhe kompjuteri, gjatë dyzet vjetëve të krijimtarisë së vet, botoi: shtatë libra me poezi, pesë romane, dy drama, dy monografi dhe një libër me skica, meditime dhe përplasje.

Në kopertinën e pasme të librit, drejtori i Shtëpisë Botuese “Armagedoni”, shkruan: “Në këtë monografi nuk ka zbrazje të ndjenjave si në poezi. Këtu ka mendim dhe meditim; ka histori, etnologji, folklor; ka art dhe shkencë; ka maturi dhe mençuri nga filozofia e popullit shqiptar, veçanërisht nga burrat e familjeve të Llukës së Epërme, për prejardhjen e të cilëve, po dhe për diturinë, shkollimin, trimërinë, traditën, nderin, besnikërinë e tyre e çfarë jo tjetër me vlerë të papërsëritshme, mund të lexoni këtu. Ky është një tekst që i përgjigjet, në të gjitha masat, një monografie shkencore”.