14:05 / E Hënë, 19 Shkurt 2018 / indeksADMonline

“Lugina e diellit” në Gjykatë, serbët insistojnë në përfundimin e projektit

Ditë më parë drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq në një takim që ka pasur me një grup të serbëve të Kosovës në Beograd u ka premtuar atyre se Serbia do të investojë shumë të madhe të mjeteve për serbët e Kosovës për t’i financuar një varg projektesh në të gjitha mjediset me popullatë serbe.

Por, si projektin më të rëndësishëm, i cili do të vazhdojë dhe do të përfundojë gjatë këtij viti, Gjuriq e ka veçuar projektin për ndërtimin e vendbanimit të ashtuquajtur “Lugina e Diellit” në Zveçan, një lokacion fare pranë lagjes “Kroi i Vitakut” në veri të Mitrovicës, por që i takon komunës së Zveçanit, në të cilin Serbia do t’i ndërtojë 300 shtëpi.

Përveç 300 shtëpive që do të ndërtohen, me projekt është planifikuar edhe ndërtimi i shkollës, i ambulancës, çerdhe fëmijësh, ndërkaq në këto shtëpi do të vendosen serbë të zhvendosur në pjesë të ndryshme të Serbisë.

Me këtë po pretendohet edhe kthimi i 1500 serbëve në Kosovë.

Punimet në “Luginën e Diellit” që patën filluar në vitin 2016, u patën ndërprerë me urdhër të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor të Kosovës.

Në një përgjigje për Indeksonline, zyrtari i lartë për komunikim në këtë ministri, Bajram Kadriu ka thënë se komuna e Zveqanit nuk ka ofruar dokumentacionin për ndërtimin e këtyre shtëpive, kur edhe i është kërkuar nga inspektorati.

“Inspektorati i MMPH-së , sipas kompetencave të veta, ka inspektuar Drejtorinë për Urbanizëm, Komuna Zveçan dhe ka kërkuar dokumentacionin për ndërtimet në kompleksin “Lugina e Diellit” te cilin dokumentacion kjo Drejtori nuk e ka prezantuar me rastin e inspektimit”, ka thënë Kadriu.

Në këtë mënyrë, ata kanë deklaruar se inspektorati ka bërë inicim në Gjykatë ndaj Drejtorisë për Urbanizëm të komunës së Zveçanit.

“Kjo Drejtori nuk i është përgjigje urdhëresës së Inspektoratit për te sjellë dokumentacionin për ndërtim, andaj Inspektorati ndaj kësaj Drejtorie ka bërë inicim në Gjykatë. Pritet Vendimi i Gjykatës”, ka deklaruar Kadriu.

Ndërsa, e kontaktuar nga Indeksonline, drejtoresha e Administratës në komunën e veriut të Mitrovicës, Adrijana Hoxhiq ka thënë  nuk ka informata të sakta se ku kanë mbetur procedurat lidhur me projektin e Luginës së Diellit, pasi nuk është kompetencë e saj.

“Unë nuk kam informata të saktë se ku kanë mbetur procedurat lidhur me projektin e “Luginës së Diellit”, e di qe kryetari i komunës së Zveçanit ka filluar bisedimet me ministrin e Ministrisë së Mjedisit qysh atëherë, me qëllim që të gjendet zgjidhja për legalizimin e implementimit të atij projekti. Kompetenca ime e mbulon vetëm territorin e Komunës së Mitrovicës Veriore. Lugina e Diellit do të ndërtohet në territorin e komunës së Zveçanit”, ka thënë Hoxhiq./Indeksonline/