18:26 / E Premte, 09 Shkurt 2018 / indeksADMonline

Lushtakët i sollën në Prishtinë ‘kundërshtarët’ e Bekim Jasharit (Foto)

Pakënaqësitë në Degën e Partisë Demokratike të Kosovës në Skenderaj tani më kanë nisur të theksohen edhe më shumë.

Çarja e partisë, e cila që nga paslufta udhëheq me këtë komunë, nisën që kur Sami Lushtaku largoi nga partia 7 asamblistë të komunës si dhe nënkryetarin e degës, njëherësh deputetin, Bekim Haxhiun.

Ish-kryetari i kësaj komune, Sami Lushtaku së bashku me djalin e tij, deputetin Mërgim Lushtakun, si duket e kanë marrë seriozisht këtë çështje.

Babë e bir janë parë sot në Selinë Qendrore të partisë të Partisë Demokratike të Kosovës në Prishtinë. Në disa foto të bëra nga “Indeksonline” shihen edhe asamblistët të cilët i takojnë “krahut të Samiut”; Lavdie Geci, Albert Rexhepi,  Arbon Osmani, Fitore Manxholli …

Për zhvillimet e fundit Lushtaku kishte thënë se nuk do të ndikojnë që Partia Demokratike të përçahet.“Jo nuk do të ketë asnjë përçarje në Parti, edhe në Skenderaj gjithçka është në rregull”, ishte shprehur ai.

Ndërsa kryetari aktual i Skenderajt, Bekim Jashari, kishte akuzuar asamblistët e partive politike të cilët, sipas tij, po bllokojnë punën e Kuvendit Komunal duke braktisur seancat.

Në një konferencë për media, ai kishte përmendur me emra asamblistëve të cilët me qëllim po braktisin seancat që të bllokohet punë.

Madje, Jashari kishte  fajësuar fillimisht asamblistët e PDK-së, dhe zyrtarët e kësaj partie në Skenderaj të cilët i ka përmendur me emra.  /Indeksonline/Alban Muhaxheri/