22:43 / E Shtunë, 17 Shkurt 2018 / indeksADMonline

Lushtaku: Urime 10 vjetori i pavarësisë, Zoti e bekoftë Kosovën

Deputeti i PDK-së, Mergim Lushtaku ka uruar qytetarët e Kosovës dhjetëvjetorin si shtet i pavarur.

Lushtaku ka thënë se shumë sakrificë është bërë për shtetin që ne sot të gëzojmë lirinë, shkruan Indeksonline.

Lushtaku është shprehur se ndryshimi po vjen ngadalë por pozitiv gjithsesi, ku dhurata më e madhe për këtë vit jubilar do të ishte lëvizja e lirshme drejt BE-së.

Postimi i plotë i tij:

Të dashur dhe të nderuar bashkëqytetarë,
Kosova ka mbushur sot dhjetë vite si shtet i pavarur. Ndjehemi gjeneratë me fat të gjithë ne që po e përjetojmë këtë vit jubilar.
Shumë mund e sakrificë është bërë për shtetin tonë të Kosovës. Gjenerata të tëra kanë derdhur djersë e gjak, qe ne sot të gëzojmë lirinë, koncept të cilin mund ta kuptojnë në të vërtetë vetëm ata që liria u ka munguar.
Shpresa dhe ëndrrat për shtetin e Kosovës kanë qenë shumë më të mëdha, ndërkaq hapërimi i Kosovës ka qenë më i ngadaltë kundrejt sa kemi dëshiruar. Por progres është shënuar në shumë fusha, por çalojmë në shumë të tjera. Ndryshimi po vjen ngadalë por pozitiv gjithsesi. Një dhuratë e madhe për këtë vit jubilar, do të ishte lëvizja lirshëm drejt BE-së. Fokusi do të duhet të përqendrohet në zhvillimin ekonomik të vendit tonë.
Në këtë ditë të shënuar për vendin tonë, përkujtojmë dhe nderojmë të rënët për lirinë e vendit tonë, ata që kanë luftuar dhe sakrifikuar. Jemi mirënjohës e falënderues për heronjtë e patriotët bashkëkohorë, të cilët investojnë e hapin vende të reja pune si dhe realizojnë projekte që shkojnë dobi të zhvillimit të vendit dhe rritjes së mirëqenies për gjithë qytetarët.
Gëzuar dhe urime 10-vjetorin e Pavarësisë së shtetit tonë të dashur, Kosovës!
Zoti e bekoftë Kosovën tonë të dashur dhe popullin tonë të mrekullueshëm!