23:28 / E Mërkurë, 14 Shkurt 2018

Mali i Zi i ofron ndihmë Kosovës që të dal nga ngërçi

Kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviq i cili po qëndron në Kosovë për një vizitë zyrtare, ka deklaruar se Mali i Zi tashmë ka kryer obligimin e vet sa i përket Demarkacionit. Këtë ai e tha pas takimit të përbashkët me kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj,  duke theksuar se një gjë e tillë nuk është bëre ende nga Kosova. Më tej, ai shprehu edhe gatishmërinë e Malit të Zi për të ndihmuar Kosovën në këtë çështje.

E kjo deklaratë e tij, sipas njohësit të çështjeve politike, Donik Sallova nuk parasheh ndonjë rishikim të marrëveshjes në këtë fazë.

Në një prononcim për Indeksonline, Sallova ka thënë se për vet faktin se Markoviq ka deklaruar se Mali i Zi e ka ratifikuar marrëveshjen për Demarkacionin, në këtë fazë ajo nuk mund të ndryshohet.

Sipas tij, Mali i Zi mund të bëj vetëm një rishikim me mundësi të ndonjë marrëveshjeje plotësues-përmirësuese tek pasi Kosova ta ratifikojë marrëveshjen aktuale.

“Kryeministri i Malit të Zi e bëri të qartë që marrëveshja e demarkacionit tashmë është ratifikuar nga Mali i Zi, që do të thotë se si e tillë, në këtë fazë ajo më nuk mund të ndryshohet. Mali i Zi në këtë rast po ofron ndihmë për pushtetin kosovar që të dal nga ky ngërç, ndoshta duke u premtuar ndonjë rishikim me mundësi të ndonjë marrëveshjeje plotësuese-përmirësuese tek pasi Kosova ta ratifikojë marrëveshjen aktuale”, ka deklaruar ai.

Sipas tij, pa u ratifikuar demarkacioni aktual nga Kosova, Mali i Zi nuk ka asnjë bazë për t’u kërkuar parlamentarëve të vet dhënien e mundësisë për një rishikim të përbashkët.

“Siç e bëri të qartë kryeministri malazez, opinioni publik atje, pra edhe ai politik e parlamentar, nuk kanë qenë në favor të njohjes së Kosovës, prandaj nënkuptoi që të mos kërkojmë favore të tjera të mëdha nga Mali i Zi. Thjesht Markivici ia ofroi një shteg për të dalë nga rruga qorre kryeministrit Haradinaj. Sepse pa u ratifikuar demarkacioni aktual nga Kosova, Mali i Zi nuk ka asnjë bazë për t’u kërkuar parlamentarëve të vet dhënien e mundësisë për një rishikim të përbashkët post-festum të kufirit me Kosovën”, është shprehur Sallova.

Deklaratën e kryeministrit malazez se janë të gatshëm të ndihmojnë Kosovën për ratifikimin e Demarkacionit e ka komentuar shkurt edhe analisti, Imer Mushkolaj.

Ai vlerëson se Mali i Zi është shprehur vullnetmirë për Demarkacionin, për këtë ai thotë se nuk duhet lëshuar këtë rast.

“Mali i Zi vullnetmirë për demarkacionin. T’mos e lëshojmë rastin”, është shprehur Mushkolaj.

Ndryshe, kryeministri Haradinaj ka theksuar se bashkë me kryeministrin malazez, Dushko Markoviq janë dakorduar që të marrin një vendim të shpejtë për demarkacionin.

Kryeministri malazez do qëndrojë në Kosovë edhe gjatë ditës së nesërme ku do të takohet fillimisht me kryeparlamentarin Kardi Veseli e më pas edhe me presidentin Hashim Thaçi./Indeksonline/