12:56 / E Premte, 13 Korrik 2018 / indeksADMonline

Maloku: Vetëm zgjedhjet mund t’ia kthejnë legjitimitetin institucioneve të Kosovës

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Doruntinë Maloku ka komentuar largimin e LDK-së nga salla e Kuvendit të Kosovës.

Në një postim në Facebook, Maloku ka shkruar se qeveria nuk po ka numra të mjaftueshëm dhe se vetëm zgjedhjet mund t’ia kthejnë legjitimitetin institucioneve të Kosovës, transmeton Indeksonline.

Më poshtë postimi i Malokut:

Koalicioni fitues i zgjedhjeve i përbërë nga Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma për Kosovën,

Partia e Drejtësisë, Lëvizja për Bashkim, Partia Shqiptare Demokristiane e Kosovës, Partia Konservatore e Kosovës, Alternativa Demokratike e Kosovës, Republikanët e Kosovës, Partia e Ballit, Partia Socialdemokrate dhe Balli Kombëtar i Kosovës, të cilëve u janë bashkuar Lista Serbe, komunitetet jo serbe si dhe AKR-ja, rrallëherë i bëjnë 61 numra në Parlamentin e Kosovës.

Sot, krejt këta bashkë i patën vetëm 45 numra. Seanca e Kuvendit vazhdoi pa miratimin e rendit të ditës.

Lidhja Demokratike e Kosovës lëshoi seancën me kërkesën që Koalicioni t’i bëjë numrat e nevojshëm për fillimin e saj. Natyrisht, nuk munguan akuzat e hyçmetit në drejtim të LDK-së.

Janë mësuar me parimin e institucionalizmit që e kultivon LDK-ja dhe shpeshherë e kanë keqpërdorur atë. Kësaj pune, siç thotë populli, i ka vdekë nana!

Tash, për LDK-në, institucionalizëm do të thotë ndalimi i degradimit të institucioneve sepse kështu nuk mund të vazhdohet tutje.

Vetëm zgjedhjet mund t’ia kthejnë legjitimitetin institucioneve të Kosovës.

Pushteti pa numra nuk mbahet! /Indeksonline/