14:33 / E Enjte, 29 Mars 2018 / indeksADMonline

Marigona sjell Marriott në Kosovë

Marigona Tower sh.p.k., kompani e themeluar nga Marigona Residence sh.p.k. nënshkroi marrëveshje me Marriott International Inc. për hapjen e hoteleve të para të brenduara në Kosovë.

Të mërkurën, më 28 mars, është nënshkruar zyrtarisht marrëveshja trepalëshe e franshizës për hapjen e dy hoteleve me famë botërore në Kosovë – një
Four Points by Sheraton dhe një Courtyard by Marriott. Nënshkrimet në këtë marrëveshje u vendosën nga Valton Billalli, Drejtor Menaxhues i Marigona Tower, Carlton Ervin, Drejtor i Zhvillimit për Evropë nga Marriott International, dhe Haluk Ozdogan, Kryetar i operatorit Access Hospitality.

“Jemi të ngazëllyer me bashkëpunimin e arritur me Marriott International dhe me faktin që po e zgjerojmë portfolion dhe veprimtarinë tonë duke zhvilluar këto projekte kaq atraktive. Kemi arritur që në këtë bashkëpunim t’i sjellim dy emra të mëdhenj të industrisë së hotelierisë, që janë të përkushtuar në ofrimin e shërbimeve të klasit botëror. Me padurim po e presim mesin e vitit 2019, kur mysafirëve tanë do t’u ofrojmë mirëseardhje dhe shërbime të klasit botëror në pronën e re,” tha Valton Bilalli, Drejtor Menaxhues i Marigona Tower.

“Kosova ofron mundësi të mirë për rritje dhe hyrje në një treg të ri për Marriott International dhe për gamën e gjerë të brendeve të tij” tha Carlton Ervin. “Ne jemi shumë të lumtur për mundësinë që na është ofruar që dy brende tona t’i vendosim në dy lokacione tejet atraktive, siç janë Marigona Residence dhe kryeqyteti i Kosovës – Prishtina.”

Lidhur me Marigona Residence

Marigona Residence është një nga grupet më të suksesshme të ndërmarrësve në Kosovë.

Valton Bilalli, Rasim Mrlaku, Erolld Belegu, Besnik Beqiri dhe Vullnet Sefaja janë aksionarë në disa kompani që operojnë në sektorë të ndryshëm të ekonomisë, si distribuim i produkteve ushqimore, ndërtimtari, restorante, tregti të materialeve ndërtimore dhe mobileve, shitje të derivateve, arsim të lartë, etj. Kompanitë që janë pjesë të këtij grupi kanë qarkullim mbi 60 milionë euro në vit dhe aktualisht punësojnë mbi 310 punëtorë.

Lidhur me Access

Access Hospitality Development & Consulting, me seli në Stamboll, është kompani lidere në ofrimin e shërbimeve të menaxhimit të hoteleve të klasit botëror, që ofron shërbime shumëdimensionale në hotelieri dhe menaxhim të aseteve hotelierike. Access është e specializuar në zhvillimin e koncepteve dhe studimeve të fizibilitetit, negocim të kontratave, menaxhim të hoteleve dhe të prokurimit të shërbimeve dhe mallrave ushqimore për sektorin e restoranteve.

Në bazë të kërkesës, ajo ofron edhe shërbime në fushën e menaxhimit të shitjes, menaxhimit të prokurimit, trajnimit të burimeve njerëzore dhe shërbimeve që i paraprijnë hapjes së hotelit.

Aktualisht, Access është e angazhuar si kompani menaxhuese e mbi 25 hoteleve të klasit botëror në Turqi, Evropë Juglindore, Lindje të Mesme dhe Afrikë, ndërsa në tri vitet në vijim Acceess planifikon t’ia shtojë portfolios së saj edhe dhjetë hotele tjera.

Lidhur me investimin

Investimi i gjithmbarshëm në dy hotelet gjatë tri viteve të ardhshme do të tejkalojë shumën prej 16 milionë eurove, ndërsa nga ai do të përfitojnë mbi 150 punëtorë.

Four Points by Sheraton në Marigona Residence, do të ketë 87 dhoma unike, një lobby bar unik, restorantin italian dhe hapësira bashkëkohore për takime dhe evenimente të ndryshme shoqërore, ndërsa pritet të hapet në mes të vitit 2019.

Courtyard by Marriott, me lokacion në qendër të kryeqytetit, do të ketë 147 dhoma komfore, duke marrë kësisoj primatin e hotelit më të madh në Kosovë. Hoteli do të ketë edhe gjashtë dhoma për takime dhe dhoma multifunksionale me mundësi të shërbimit nga 25 deri 300 persona, një qendër fitnesi, restorant dhe parkim nëntokësor.

Courtyard by Marriott planifikohet të hapet para fundit të vitit 2022.

Lidhur me Marriott International

Marriott International Inc., me seli në Bethesda të Merilendit të SHBA-ve, ka nën portfolion e saj mbi 6500 prona që operojnë nën 30 brende të ndryshme në 127 shtete dhe territore të botës. Marriott operon vet apo jep franzhiza dhe licencon hotele dhe resorte pushimi anembanë globit. Kompania menaxhon edhe programe të besnikërisë së klientëve që kanë fituar shpërblime globale – Marriott Rewards, që përfshin edhe Ritz-Carlton Rewards, dhe
Starwood Preered Guest.

Për më shumë informata, mund të vizitoni web-faqen www.Marriott.com, ndërsa për risitë më të reja lidhur me kompaninë mund ta vizitoni faqe www.Marriottnewcenter.com, apo të lidheni me ne në Facebook, Twitter dhe Instagram përmes faqes @MarriottIntl