10:28 / E Mërkurë, 13 Qershor 2018

Marrëveshjen Maqedoni-Greqi, Veseli e sheh model për fqinjët

Kryeparlamentari i Kosovës, Kadri Veseli ka përshëndetur marrëveshjen e arritur mbrëmë në mes të Maqedonisë dhe Greqisë për çështjen e emrit.

Veseli ka vlerësuar se kjo marrëveshje shërben si model inkurajues për fqinjët.

“Marrëveshja e arritur për çështjen e emrit është një lajm i jashtëzakonshëm dhe i shumëpritur për paqen dhe stabilitetin e gjithë rajonit. Ajo shërben si model inkurajues për të gjithë popujt fqinj, që t’i zgjidhin problemet e së kaluarës nëpërmjet dialogut dhe mirëkuptimit. Unë jam veçanërisht i gëzuar që falë saj Republikës së Maqedonisë Veriore po i zhbllokohet rruga drejt anëtarësimit në NATO dhe BE”, ka shkruar ai.

Ai gjithashtu ka përgëzuar bashkëkombasit në këtë shtet për këtë arritje, si dhe ka falënderuar ata për qëndrimin konstruktiv dhe pro-integrimit që kanë mbajtur vazhdimisht.

Republika e Maqedonisë së Veriut, është emri i ri dakorduar mes kryeministrave të Maqedonisë dhe Greqisë, Zoran Zaev dhe Aleksis Tsipras.