16:50 / E Premte, 22 Dhjetor 2017 / indeksADMonline

MASHT dhe MPB morën  këtë vendim kundër drogave në shkolla!

Zëvendësministri i MASHT, Arbër Geci dhe zëvendësministri i MPB, Selami Shkodra mbajtën takim për koordinimin e strategjisë kombëtare kundër drogave në shkolla.

Sipas komunikatës për media të dërguar nga MASHT,   Geci shprehu gatishmërinë e MASHT për t’u angazhuar në krijimin e mekanizmave parandalues për përdorimin e substancave narkotike në shkolla si dhe në vizita shkollore jashtë vendit.

Ai tha se MASHT, përmes programeve edukative dhe kurrikulave, sistematikisht angazhohet në informimin dhe edukimin e të rinjve për pasojat që vijnë nga keqpërdorimi i këtyre substancave. Zëvendësministri Geci potencoi se MASHT do të luajë një rol kyq në fuqizimin e projekteve kundër përdorimit të drogave si dhe ka angazhim të plotë për të zhvilluar edhe fushata të vetëdijesimit të të rinjve.

Gjithashtu,  Geci shtoi se kurrikulat janë të formuara konform edukimit të nxënësve në aspektin shëndetësor, gjë që do t’i ndihmojë ata që përmes lëndëve mësimore adekuate të arrijnë të kuptojnë pasojat e përdorimit të këtyre substancave narkotike.

Zëvendësministri i MPB-së Shkodra i cili udhëheq dhe koordinon strategjinë kombëtare kundër narkotikëve, shprehu vendosshmërinë e Ministrisë së Brendshme për të intensifikuar angazhimet e veta në luftimin e pakompromis të dukurive negative nëpër shkolla. Ai pohoi se MPB ka bërë një seri vizitash dhe aksionesh nëpër shkolla në mënyrë që të ketë ndikim pozitiv te të rinjtë dhe të arrihet vetëdijesim në lidhje me këtë dukuri negative e cila fatkeqësisht po shënon ngritje kohëve të fundit.

Mbështetje e madhe do të jepet edhe nga ICITAP, ku përfaqësuesja e ICITAP-it nga Ambasada Amerikane dhe këshilltarja e lartë e MPB  Drita Perizic shprehu interesim të madh dhe gatishmëri për të ndihmuar këto dy ministri në arritjen e synimeve të tyre drejt parandalimit të përdorimit të substancave narkotike./Indeksonline/