08:37 / E Premte, 18 Maj 2018 / indeksADMonline

MASHT: Gjithçka gati për testin e arritshmërisë

Sot, rreth 30 mijë nxënës të klasave të nënta në gjithë Kosovën do t’i nënshtrohen testit të arritshmërisë, që organizohet nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë. Ndërsa mësim nuk do të zhvillohet vetëm në ato qendra ku mbahet testimi.

Udhëheqësi i Divizionit për Vlerësim, Standarde dhe Monitorim në Ministrinë e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, Mustafë Kadriu, tha për Radio Kosovën se çdo gjë është gati për mbarëvajtjen e testit në 107 qendra të testimit, i cili mbahet sot. Ky test do të fillojë në ora dhjetë dhe do të zgjasë tri orë.

“Të gjitha përgatitjet janë bërë për realizimin dhe administrimin e testit. Shënimet nga komunat janë marrë për të gjithë nxënësit, janë rreth tridhjetë mijë nxënës. Janë rreth 107 qendra të testimit, ku secila komunë i ka përcaktuar qendrat për numrin e nxënësve”, tha Kadriu.

Kadriu tha se testi është njëri ndër kriteret përcaktues  për orientimin e mëtejmë të nxënësve.

“Testi i arritshmërisë është element i  diferencimit për vazhdimin e shkollimit të mëtutjeshme. Varësisht çfarë notash kanë marrë gjatë shkollimit të me hershëm dhe në testet e arritshmërisë sa pikë kanë marrë, ato janë kriter se në cilin drejtim kanë mundësi të hynë në konkurrencë”, tha ai

Rezultatet e testit të arritshmërisë do të publikohen me datë një qershor, dhe afati i ankesave do të jetë i hapur tri ditë pas shpalljes se rezultateve.