23:04 / E Diele, 16 Shtator 2018

Mbahet mbledhja e radhës e Komisionit parlamentar për MSA-në BE-Kosovë

Të hënën dhe të martën në Kuvendin e Kosovës do të mbahet mbledhja e pestë e Komisionit Parlamentar për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit BE-Kosovë, i cili përbëhet nga deputetë të Kuvendit të Kosovës dhe Parlamentit Evropian.

Sesioni i parë punues i mbledhjes mbahet nën kryesimin e përbashkët të Memli Krasniqi, kryetar i delegacionit të Kosovës dhe Tonino Picula, kryetar i delegacionit të PE-së.

Një fjalim rasti do të mbajë Nataliya Apostolova, shefe e Zyrës së BE-së/Përfaqësuese Speciale e BE-së në Kosovë, në emër të shefes së diplomacisë evropiane Federica Mogherini dhe në emër të Komisionit Evropian.

Ndryshe, MSA është marrëveshja e parë kontraktuale mes Kosovës dhe BE-së dhe si e tillë ajo paraqet një fazë të re të marrëdhënieve politike ndërmjet Kosovës dhe BE-së.

MSA u nënshkrua më 27 tetor 2015 në Strasburg dhe si marrëveshje ndërkombëtare ajo përcakton mekanizmat dhe afatet zyrtare për zbatimin e të gjitha reformave që do ta përafrojnë Kosovën në mënyrë progresive me BE-në në të gjitha fushat e politikave, deri në përmbushjen e të gjitha standardeve të BE-së.

Për më tepër, MSA vendosë kornizën e marrëdhënieve të Kosovës me shtetet anëtare dhe institucionet e BE-së për jetësimin e Procesit të Stabilizim-Asociimit (PSA) deri në anëtarësimin e plotë në BE.