14:43 / E Martë, 10 Korrik 2018 / indeksADMonline

Mbi 1 milion dëme nga të reshurat në Kosovë

Në bazë të vlerësimeve të para, vlera e dëmeve të shkaktuara nga reshjet e fundit të shiut dhe breshrit në Kosovë arrin shumën 1 milion e 200 mijë eurove.

Kjo është bërë e ditur sot nga ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Nenad Rikallo, në raportimin e tij para Komisionit për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural.

Ai tha se kjo shumë mund të rritet pasi ende nuk e kanë bërë raportin përfundimtar, pasi edhe këto ditë ka pasur të reshura në disa vende të Kosovës.

Rikallo theksoi se mungesa e sistemit raketor kundër breshrit, sigurimeve bujqësore dhe fondit për kompensimin e dëmeve, janë problematike për ministrinë që ai drejton.

Megjithatë, ai tha se me Bankën Botërore tashmë një vit po punojnë në një projekt për ta futur në bujqësi çështjen e sigurimit dhe kanë ardhur deri te faza kur po përgatitet baza ligjore për këtë.

Ndërsa, për sistemin për mbrojtjen kundër breshrit, Rikallo theksoi se janë duke punuar me një organizatë zvicerane dhe atë model po përpiqen ta vendosin edhe këtu.

Por ky problem, sipas tij, nuk është vetëm i MBPZHR-së, por është çështje edhe e sigurisë, KFOR-it, kontrollit ajror, që do të thotë se nuk varet vetëm nga ta.

 

“Dëmet e fundit që janë shkaktuar në komunën e Rahovecit, janë jashtëzakonisht të mëdha. Mund t’ua tregoj këtë skicë ku kemi paraqitur 38 për qind të ekonomive familjare, do të thotë qind për qind janë shkatërruar, 50 për qind të tyre. Dhe disa janë dëmtuar edhe nga 60 për qind, kurse disa të tjera mbase më pak. Komisioni komunal së bashku me komisionin tonë të Ministrisë, të institutit për vlerësimin e dëmeve e kanë vlerësuar. Ajo që kemi mundur të bëjmë është se nuk kemi mundur të gjitha t’i paraqesim dëmet, sepse në ndërkohë është duke u përgatitur raporti, është duke ndodhur, në Podujevë dje ka pasur breshër dhe dëme. Shuma e përgjithshme e cila ka arritur sipas kërkesave të deritashme është 1 milion e 200 mijë, e 995 euro”, tha Rikallo.

Ai theksoi nevojën e madhe për të pasur një fond për kompensimin e dëmeve që shkaktohen nga fatkeqësitë natyrore, porse Ministria e Financave nuk po ua aprovon një fond të tillë.

 

“Fondi për kompensimin e dëmeve do të ishte një fond shumë i dëshirueshëm, mirëpo prej vitit 2009 Ministria i ka dorëzuar kërkesën Ministrisë së Financave për këtë por nuk është përgjigjur kurrë pozitivisht në kërkesën tonë. Edhe pse vitet e kaluara kemi paguar disa dëme, asnjëherë nuk kemi pasur një fond specifik në buxhet i cili dot ë ndikonte drejtpërdrejtë në kompensimin e dëmeve të tilla. Normalisht që nuk e kemi as këtë vit, por varësisht kur ta bëjmë rishikimin e buxhetit do të shohim se çka po mbesin mjete dhe të shohim a do të kemi sukses t’i kompensojmë 20 deri 25 për qind të dëmeve të shkaktuara në bujqësi”, theksoi ai.

Deputetët patën një mori pyetjesh për ministrin Rikallo, duke shfrytëzuar rastin të marrin përgjigje nga ai, meqë në seanca nuk po mund të marrin përgjigje meqë nuk po merr pjesë.

Deputeti i Vetëvendosjes Liburn Aliu, kërkoi nga ministri i Bujqësisë të tregojë arsyet pse e ka shkarkuar drejtorin e Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë dhe nëse kjo lidhet me përfitimet e kompanisë ku punon gruaja e tij.

 

“A është e vërtetë që kompania që kompania Concept Pro ka lidhje me gruan e tij dhe pastaj e njëjta kompani ka lidhje të drejtpërdrejtë kontraktuale me kompaninë Extra Fruit Felix për të cilën është marrë vendim që t’i kthehen pagesat. Nëse është kështu unë mendoj që në bazë të ligjit për konflikt të interesit që e kemi ne, ka konflikt të hapur të interesit”, pyeti Aliu.

Deputeti i PDK-së, Andin Hoti, i cili ka qenë edhe kërkues që ministri Rikallo të raportojë në komision, tha se ministria ende nuk ka ardhur me një projekt konkret se si do t’i kompensojë bujqit e dëmtuar.

 

“Këtu shihet saktë që janë mbi 1400 hektarë të dëmtuar vetëm në komunën e Rahovecit, nga të gjitha kulturat, duke përfshirë edhe një pjesë të infrastrukturës, që janë serrat dhe infrastrukturat tjera përcjellëse. Ministër, qytetarët e Kosovës janë qytetarë të Kosovës dhe Qeveria është gardian i tyre, ne kemi obligim mirëqenien e tyre. Unë vij nga komuna e Rahovecit, fshatit Krushë e Madhe dhe e di që shumica prej tyre të hyrat e vetme financiare i kanë prej bujqësisë. Nëse këto të hyra iu kanë dëmtuar nga fatkeqësitë natyrore ne duhet patjetër që t’iu gjejmë zgjidhje”, theksoi Hoti.

Në anën tjetër deputeti i LDK-së, Lutfi Zharku, kërkoi të dijë nga ministri se si ka ndarë dy milionë euro për zhvillimin e veriut dhe mënyra e aplikimit të bujqve të asaj pjesë për të qenë përfitues të granteve.

 

“E dyta që është shqetësuese për LDK-në dhe qytetarët ka të bëjë me trajtimin e dokumentacionit nga komunat që përmenda, trajtimin e ndryshëm të aplikantëve, të cilëve iu lejohet të aplikojnë me dokumentacion që nuk i kanë logon, apo nuk janë në përputhje me infrastrukturën ligjore në fuqi, se nuk prezantohen as nuk kanë obligim të mbajnë as logo, as mbishkrime që përcaktojnë Republikën e Kosovës. Ne konsiderojmë këtë çështje si nxitje të qytetarëve që të mos e pranojnë rendin kushtetues në Kosovë dhe veçanërisht kur bëhet me udhëzime administrative natyrisht kalon në një stad tjetër”, tha Zharku.

Rikallo pati vërejtje edhe për mos pjesëmarrje në seanca plenare për t’iu përgjigjur pyetjeve parlamentare.

Në përgjigjet e tij, ministri Rikallo shprehu gatishmërinë e tij që të jetë i pranishëm në komision sa herë që deputetët e ftojnë në raportim.

Sa i përket pyetjeve parlamentare, ai theksoi se ka marrë vetëm dy pyetje deri më tani dhe një pyetje që s’ka pasur lidhje me punën e tij si ministër, por me shumë ka qenë fyes.

Duke folur për raportimet se shkarkimin e shefit të AZHB-së në Ministrinë e Bujqësisë, Rikallo tha se nuk ka lidhje me përfitimet e kompanisë ku punon gruaja e tij, por ka ardhur si pasojë e një vendimi gjyqësor.

 

“Ajo që e kam bërë së pari si ministër, kam thënë do të jem shumë transparent dhe do të luftoj korrupsionin dhe do të jap maksimumin nga vetmja. Jam i gatshëm të përgjigjem në krejt këto. Çështjet lidhur me formën që e përmendet, fjala është për një far lloj tentimi të përbaltjes së emrit tim. Nga viti 2015 kur s’kam qenë fare ministër dhe nuk kam mundur diçka të tillë. Fjala është për një lëndë nga viti 2015, një lëndë e cila është në gjykatë dhe kurrfarë vendimi i imi nuk mund t’i sjellë dobi asaj firme. Dhe kërkesa për superkontrollin ka ardhur nga procedura gjyqësore. Jo për procedurë kundër meje se unë kam mundur t’i ndihmoj asaj, por vetëm për vërtetim të gjendjes. Pastaj sa e di për ato dy kompani nuk kanë kurrfarë marrëveshje aktive që do të prodhonte efekte për mua ose të kem bërë unë diçka në dobi të tyre”, u shpreh Rikallo.

Rreth pyetjes së deputetit Zharku, ministri Rikallo tha se ai si ministër nuk e përdor politikën për t’iu dalë në ndihmë bujqve, pavarësisht nga vijnë.

Ndarja e dy milionë eurove për veriun, sipas Rikallos ka ardhur si pasojë e mungesës së zhvillimit të asaj pjese. Ndërsa në këtë grant, ai theksoi se ka pasur aplikues edhe nga pjesa jugore, derisa kanë qenë mbi 120 aplikues shqiptarë