20:05 / E Mërkurë, 15 Gusht 2018 / indeksADMonline

Mbi 10 mijë euro shpenzime vjetore për një të burgosur

Janë 1.569 persona të izoluar duke vuajtur dënimet në qelitë e paraburgimeve apo të burgjeve në Kosovë. Në këtë mënyrë, mbajtja e të burgosurve u kushton shtrenjtë poashtu taksapaguesve kosovar.

Vetëm gjatë periudhës janar-korrik të këtij viti në institucionet korrektuese janë pranuar mbi 2 mijë persona, të akuzuar për vepra të ndryshme penale si: vrasje, dhunim, vjedhje e plagosje.

Ndërkohë që buxhetit të Kosovës, sipas SHKK-së një i burgosur për një ditë i kushton hiç më pak se 28 euro, duke përjashtuar këtu trajtimet e ndryshme shëndetësore, transmeton Indeksonline. Kosto mujore për një të burgosur i bie të jetë rreth 840 euro, ndërkaq vjetore rreth 10 mijë e 220 euro.

Shërbimi Korrektues i Kosovës, në një përgjigje për Indeksonline, tregon saktë numrin e të arrestuarve për 7-mujorin e këtij viti.

“Gjatë periudhës janar-korrik janë pranuar në institucionet korrektuese 2.142 persona. Numri aktual i të miturve është 44 persona”, thuhet në përgjigjen e SHKK-së.

Kosova numëron tre Qendra Korrektuese për të burgosurit, pesë të paraburgimit, Burgun e Sigurisë së lartë dhe Qendrën Edukuese Korrektuese në Lipjan.

“Totali i të burgosurve është 1.569, ndërsa nëpër qendrat korrektuese dhe te paraburgimit janë si në vijim: QK Dubravë 790, BS Lartë 162, QK Lipjan 77, QEK Lipjan 19, QP Lipjan 97, QP Prizren 92, QP Pejë 95, QP Mitrovicë 26, QP Gjilan 95, QK Smrekonice 116. “, thuhet tutje në përgjigjen e Shërbimit Korrektues i Kosovës.

Sipas tyre, veprat për të cilat ata janë arrestuar ose akuzohen janë nga më të ndryshmet./Indeksonline/