11:42 / E Diele, 20 Maj 2018

Mbi gjysma e deputetëve të Kuvendit janë pasiv

 Mbi gjysma e deputetëve të Kuvendit të Kosovës janë pasiv në ushtrimin e funksionit të tyre si deputetë, qoftë me pjesëmarrje në seanca plenare, pyetje parlamentare apo fjalimeve të tyre në Kuvend.

Sipas platformës “Vota Ime” të KDI-së, janë vetëm dy deputetë, Muharrem Nitaj i AAK-së e Salih Zyba i Vetëvendosjes që kanë marrë pjesë 100 për qind në seanca plenare. Derisa, Ramiz Kelmendi e Teuta Rugova nga LDK-ja, janë deputetët me më së paku pjesëmarrje në seanca. I pari me 46 për qind, ndërsa, Rugova me 54 për qind pjesëmarrje.

Ndër deputetët që kanë qenë pjesëmarrësit më të rregullt në seanca janë edhe Ahmet Isufi, Andin Hoti, Avullah Hoti, Bilall Sherifi e Kujtim Shala, me 98 për qind pjesëmarrje.

Hiq më mirë nuk janë as në aspektin e pyetjeve parlamentare. Sipas KDI-së, vetëm 45 deputet kanë parashtruar pyetje parlamentare në këtë legjislaturë, derisa, 62.5 për qind e deputetëve nuk kanë parashtrua asnjë pyetje parlamentare.

Albert Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës, ka thënë se nëse mbi gjysma e deputetëve nuk janë aktiv në ushtrimin e funksionit të Kuvendit, në mbajtjen e Qeverisë llogaridhënëse me pranin e tyre fizike në Kuvend, me pjesëmarrjen e tyre në votime, aq del edhe Kuvendi që është pasiv dhe mbetet mbrapa në realizimin e programit të vet.

“Në bazë të monitorimeve që ne kemi bërë Kuvendit të Kosovës, shohim aty se mbi gjysma e deputetëve të Kuvendit të Kosovës janë pasiv, qoftë për nga numri i mungesave, duke mos marrë pjesë në Kuvend apo edhe duke mos parashtruar pyetje për anëtarët e kabinetit qeveritar dhe duke kërkuar llogari nga ata. Nëse deputetët nuk ushtrojnë pyetje për shkak se ministrat nuk janë aty, këtë mund ta bëjnë edhe përmes formës së shkruar, duke iu dërguar pyetje në formë të shkruar ministrave apo edhe duke kërkuar me shumë përgjegjësi nga vet ministrat dhe nga kryeministri, për të kërkuar madje edhe që të shkarkohen ata ministra të cilët shpërfillin rolin e Kuvendit”, tha Krasniqi.

Sipas tij, me këtë trend por edhe degradimit të gjuhës parlamentare, roli i Kuvendit po zbehet çdo ditë e më shumë për përfaqësimin e qytetarëve. Krasniqi thotë se pasiviteti i deputetëve sjellë edhe një problem të madh.

“Problemi kryesor që shfaqet nga mospjesëmarrja e deputetëve në kuvend dhe votime ka të bëjë se po ia lënë vendimmarrjen një grupi prej dyzetë deputetëve në Kuvend. Janë këta 40 deputetë që janë aktiv, janë në Kuvend dhe i vendosin të gjitha politikat të cilat pastaj shoqëria duhet t’i zbatoj dhe kështu ngushtohet tek një grup i ngushtë i njerëzve. Është ndryshe kur 120 deputetë janë në Kuvend dhe debatojnë për një politikë dhe në fund vendosin që të gjithë se cila është me e mirë për shoqërinë ose jo. Në këtë mënyrë do të kishim ligje më të mira”, shtoi Krasniqi.

Krasniqi ka shtuar se për disiplinimin e deputetëve, duhet të merren masa financiare, por edhe zvogëlimi i mungesës së deputetit për t’i marrë mandatin, nga gjatshtë në tre muaj.

Deputetët kanë arsyet e tyre pse po ndodhë ky pasivitet i deputetëve. Njëra nga deputetet më aktive, e cila ka një pjesëmarrje në seanca prej 96 për qind, deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu,ka thënë se mungesa e ministrave është njëra nga arsyet kryesore për këtë pasivitet të deputetëve.

“Mendoj që problemi nuk qëndron tek deputetët, e kam thënë edhe në seancë por edhe më herët, shembull ishte një çështje që tek pyetjet parlamentare, 62 për qind e deputetëve nuk marrin mundin fare që të bëjnë pyetje parlamentare. Duke u nisur nga përvoja që unë kam dhe kam bërë bukur shpesh pyetje parlamentare, ku prej tyre mbi 80 për qind nuk kanë marrë përgjigje në Kuvendin  e Kosovës. Normalisht që humb edhe motivi sepse ne po bëjmë pyetje por po flasim vet me vete në njëfarë mënyre, përderisa ministrat po ngurrojnë që të vijnë dhe të japin përgjigje. Unë e kuptoj agjendën e ministrave, por nuk mund të kuptoj që një ministër mos të gjejë kohë të vijë në seancë t’i përgjigjet pyetjeve parlamentare, duke pasur parasysh që i kanë kabinetet e mëdha me shumë zëvendësministra dhe këshilltarë dhe duhet t’i delegoj punët të paktën kur kemi seancë”, theksoi Musliu.

Mirëpo, shefi i grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, mendon se sigurimi i votave nga partia po ua mundëson disa deputetëve që të jenë pasiv.

“Unë mendoj që defekti më i madh lidhur me mënyrën e funksionimin e deputetëve në Kuvendin e Kosovës është fakti se si zgjedhën ata. Me vet faktin që kemi njëfarë lloj tendence që partia me t’i siguruar votat, në njëfarë mënyre ta jep njëfarë imuniteti prej pasivitetit. Pra i bie që edhe nëse nuk je aktiv, edhe nëse nuk e përfaqëson popullin ashtu siç duhet nuk e ki gajle sepse shumë edhe prej atyre që nuk kanë folur kurrë arrijnë të bëhen deputetë. Ju kujtohet Azem Syla gjithmonë fitonte pa fol kurrë. Pra ka edhe shumë të tjerë si ai, të cilët janë shembuj tipik të deputetit të cilët nuk ki rastin t’ia dëgjosh zërin kurrë në Kuvendin e Kosovës”, tha Konjufca.

Edhe Konjufca pajtohet se mungesa e ministrave në seanca për t’iu përgjigjur pyetjeve të deputetëve është njëra nga arsyet pse deputetët kanë humbur motivin për të bërë pyetje dhe për të qenë aktiv.

“Po, pajtohem me ju kjo është një aspekt tjetër i kësaj arsye pse ka një pasivitet të theksuar të deputetëve në Kuvendin e Kosovës. Mirëpo, kjo vlen vetëm për opozitën, por sa i përket pushtetit edhe ata të pushtetit janë ata që mungojnë më së shumti. Pra në njëfarë lloj mënyre ata nuk e akceptojnë misionin e tyre që e kanë marrë prej popullit si kontrollues të Qeverisë, si sfidues të Qeverisë, si le të themi monitorues të Qeverisë, por e shohin vetën si legjitimues të vendimeve që i sjellë Qeveria në Kuvend”, shtoi ai.

Deputeti Konjufca theksoi se është goxha vështirë edhe sanksionimi i deputetëve me mjete financiare, ani pse në parim është pro kësaj./Kp/