12:53 / E Diele, 14 Janar 2018 / indeksADMonline

Mbi zyrtarizmin dhe përdorimin e drejtë të normës gjuhësore shqipe në Republikën e Maqedonisë

Shkruan: Arbër Çeliku, Prorektor në Universitetin e Tetovës:

Akti i sotëm i votimit në të mirë të përdorimit institucional të gjuhëve të “qytetarëve”, të cilët, së paku, 20% flasin gjuhë tjetër nga gjuha e vetme zyrtare në tërë territorin e Republikës së Maqedonisë dhe në përdorimin ndërkombëtar dhe që ajo është “gjuha maqedonase dhe shkrimi i saj cirilik” (neni 1, pika 1 e Ligjit në fjalë), në radhë të parë, paraqet një kthesë pozitive në politikbërjen e fosilizuar të partive politike maqedonase karshi popullit shqiptar dhe komuniteteve tjera, që jetojnë në territorin e përbashkët, që quhet Maqedoni dhe po ashtu ky akt duhet kuptuar si një fillim i zhbërjes së mentalitetit nacionalist maqedonas, të kultivuar dhe imponuar nga politika, që tashmë rezultojnë si të dëmshme për bashkëjetesën qytetare dhe të ardhmen e Maqedonisë si shtet. Votimi i Ligjit për përdorimin e gjuhëve njëkohësisht i hap rrugë edhe zyrtarizimit shkallë-shkallë të gjuhës shqipe në një të ardhme jo të largët, por i cili kryesisht do të varet edhe nga forca dhe vetëdija e lartë e faktorit politik shqiptar dhe i gjithë aktorëve të tjerë shoqërorë siç janë organizatat qytetare, institucionet arsimore-kulturore dhe klasa intelektuale.

Ligji në fjalë, përveç anëve pozitive, siç është përdorimi i gjuhëve të qytetarëve me 20% në nivel të mbarë piramidës shtetërore dhe institucionale, që në nenin 1, pika 2, aludohet në gjuhën shqipe, edhe pse me një formulim kontrovers: “Gjuha tjetër që e flasin më së paku 20% e qytetarëve, gjithashtu, është gjuhë zyrtare dhe shkrimi i saj (shqip) në pajtim me këtë ligj”, ku kemi një rimarrje implicite të togfjalëshit emëror “gjuha tjetër” me leksemën “shqip”, edhe atë në kllapa jashtë çdo norme gjuhësore, lë të kuptohet disi se gjuha shqipe po futet fshehurazi në këtë ligj, megjithatë rezulton edhe i paqartë në disa çështje të rëndësishme, nga të cilat unë do t’i veçoj dy:

  1. Në këtë ligj është lënë pasdore përdorimi i gjithëmbarshëm territorial i “gjuhës tjetër (shqip)”, që nënkupton se përdorimi i saj është i mundshëm aty, ku “qytetarët” shqiptarë numerikisht përfaqësohen, së paku, me 20%, dhe kjo do të ndodhë krahas përdorimit të gjuhës së vetme zyrtare, që është gjuha maqedonase dhe shkrimi i saj cirilik (neni 1, pika 3), kurse aty, ku shqiptarët numerikisht do të jenë nën 20%, gjuha zyrtare do të jetë vetëm gjuha maqedonase dhe shkrimi i saj cirilik, përveç në rastet ku mund të arrihet konsensusi politik: “Për përdorimin e gjuhëve dhe alfabetin që e përdorin më pak se 20% e qytetarëve në njësitë e vetëqeverisjes lokale, vendosin organet e njësive të vetëqeverisjes lokale” (neni 1, pika 4).
  2. Në këtë ligj po ashtu përmendet formimi i Inspektoratit për përdorimin e gjuhëve, i cili do të funksionojë në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë (neni 20, pika 1) dhe i formuar enkas “për monitorim të zbatimit të plotë dhe të përpiktë të dispozitave të këtij ligji që kanë të bëjnë me përdorimin e gjuhëve (po aty), kurse në nenin 22, pika 1 dhe 2, përmenden edhe gjobat konkrete që do t’u shqiptohen organeve dhe të gjitha institucioneve tjera, të cilat nuk do ta respektojnë ligjin, megjithatë mbetet e paqartë, nëse ky Inspektorat do të shqiptojë gjoba edhe për cenimin e normës gjuhësore, e cila në vazhdimësi po cenohet, në radhë të parë, nga institucionet e lartpërmendura. Me këtë rast, do të jap dy shembuj për ta ilustruar këtë:

Në pasaportën e tanishme të Republikës së Maqedonisë, versioni në shqip (shih foton e bashkëngjitur), të cilën e kemi në pronësi të gjithë ne shqiptarët e këtij vendi dhe njëkohësisht shembulli më i turpshëm i cenimit të gjuhës shqipe, si në aspektin formal ashtu edhe në atë përmbajtësor. Në të gjithsej ka 39 cenime të normës gjuhësore (as çfarë, korigjimi, mbartësi, ti’a, dorzojë, poseduesi, etj.), si dhe në fragmente të caktuara mungojnë marrëdhëniet logjike semantike të tekstit, ose thënë ndryshe, është cenuar koherenca tekstore: “ndalohet dhënie dhe marrje në peng e pasaportës për shkak të obligimeve të pashlyera ndaj organeve shtetërore, ndaj personave juridik dhe personave fizik. Kjo që u tha është e dënueshme sipas ligjit […]”.

Vetë Ligji i votuar sot, kush i ka hedhur një sy versionit në shqip në faqen zyrtare të Ministrisë së Drejtësisë (www.pravda.mk/documents/ligji%20i%20gjuheve%20%20-%20komplet.pdf), përmban një mori gabimesh formale gjuhësore dhe sekuenca të pakuptueshme në rrafshin semantik. Në pjesën hyrëse të Ligjit, për shembull, në kreun dy ekziston titulli i formuluar kësisoj: II. Qëllimi, parimet dhe principet kryesore, që është një tautologji, e cila rezulton mbase nga përkthimi kalk i versionit në origjinal në maqedonishte apo anglishte.

Para një viti, kur bëhej revidimi i Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, unë isha i ftuar në cilësinë e ekspertit gjuhësor dhe vërejtjet e njëjta atëkohë i dhashë përpara anëtarëve të Komisionit, si dhe, në veçanti, për mbrojtjes e gjuhës shqipe me ligj, duke u bazuar në hulumtimet e mia për një kohë të gjatë.