18:13 / E Martë, 20 Shkurt 2018 / indeksADMonline

Mbledhja e Kryesisë për Demarkacionin, nesër në ora 16:00

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka bërë të ditur se Kuvendi tashmë ka pranuar nga Qeveria e Kosovës Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror mes Kosovës dhe Mali të Zi.

Veseli me këtë rast ka theksuar se ka ftuar mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit, nesër në ora 16:00 për të proceduar më tutje këtë çështje, shkruan Indeksonline.

Ndryshe pak më parë Qeveria e Kosovës ka mbajtur mbledhjen në të cilën ka miratuar ndryshimin dhe plotësimin e Projektligjit për ratifikimin e marrëveshjes mes Kosovës dhe Malit të Zi.

Për votuan ministrat shqiptarë të kabinetit Haradinaj ndërsa ministrat e komunitetit serb abstenuan.

Ky është postimi i plotë i Veselit:

Kuvendi i Kosovës ka pranuar nga Qeveria e Kosovës Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Malit të Zi. Kam ftuar mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit, për nesër në orën 16:00, për të proceduar më tutje me këtë çështje. Ftoj të gjithë deputetët që të mendojnë për interesin e qytetarëve dhe ta përkrahin këtë Marrëveshje, e cila forcon sovranitetin e vendit dhe i hap rrugë liberalizimit të vizave për qytetarët tanë.