15:07 / E Enjte, 16 Gusht 2018 / indeksADMonline

Më 29 gusht, sfida e radhës për liberalizimin e vizave

Ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha ka zhvilluar një bisedë telefonike me raportuesin e Parlamentit Evropian për Kosovën Z. Igor Sholtes, me të cilin ka biseduar për procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

Në një postim në rrjetin social Facebook, Hoxha ka shkruar se Sholtes e njoftoi atë për hapat e ardhshëm, për takimin e Komitetit LIBE më datën 29 gusht, ku liberalizimi i vizave për Kosovën do të jetë në agjendë dhe bashkë jemi optimist që të marrim dritën e gjelbër për të ecur tutje, transmeton Indeksonline.

Më poshtë postimi i Hoxhës:

Në bisedë telefonike me raportuesin e Parlamentit Evropian për Kosovën Z. Igor Sholtes, diskutova për hapat e ardhshëm për procesin e liberalizimit të vizave. Tashmë i gjithë procesi është në duart e institucioneve të BE-së, pas plotësimit të kritereve nga ana e Kosovës.

E informova Z. Sholtes se Kosova është duke vazhduar reformat dhe zbatimin e MSA-së dhe kërkova që procesi i vendimmarrjes sa i përket liberalizimit të vizave të përshpejtohet.

Qytetarët e Kosovës e kanë të qartë se janë në prag të liberalizimit të vizave dhe po presin me padurim lëvizjen e lirë, po ashtu e njoftova Raportuesin për Kosovën për fushatën e vetëdijesimit për liberalizimin e vizave të cilën e ka filluar Ministria e Integrimit Evropian, me theks të veçantë informimin e qytetareve sa i përket asaj se çka nënkupton liberalizimi i vizave si dhe sanksionet që mund të pasojnë në rast të keqpërdorimit.

Sholtes i ofrova mbështetjen dhe bashkëpunimin e plotë të institucioneve të vendit në mënyrë që procesi i vendimmarrjes të jetë sa më i shpejtë dhe pritshmëritë e qytetarëve për lëvizjen e lirë deri në fund të vitit të plotësohen.

Raportuesi Sholtes më falënderoi për angazhimin tonë, gjatë gjithë procesit dhe më siguroi se kemi mbështetjen e plotë për të përshpejtuar vendimmarrjen për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Sholtes, po ashtu më njoftoi për hapat e ardhshëm, për takimin e Komitetit LIBE më datën 29 gusht, ku liberalizimi i vizave për Kosovën do të jetë në agjendë dhe bashkë jemi optimist që të marrim dritën e gjelbër për të ecur tutje. /Indeksonline/