16:40 / E Martë, 27 Shkurt 2018 / indeksADMonline

Meçollari, ‘spiun’ sipas Berishës, por certifikatë sigurie nga NATO

Vendosi në krye të grupit një ish-spiun nga Forcat e Armatosura të Ushtrisë. Ky agjent, Artur Meçollari, nuk i është drejtuar gjykatës, sepse faktet dhe të dhënat kanë qenë katastrofale. Ai ka zgjedhur rrugën e xhepit. Merrte rrogë në një vend tjetër, për t’u rikthyer në funksione nevralgjike të shtetit shqiptar”.

Ky ishte deklarimi i ish-kryeminisrit Sali Berisha për Artur Meçollari, njërin nga 12 emrat e propozuar për te negociuar me Greqinë. Akuzat për spiunazh janë nga më të rëndat për një ushtarak për cilëndo ushtri në botë nëse ato janë të shoqëruara me fakte që në rastin konkret munguan. Në fakt kjo nuk është një përplasje e re në distancë mes ish kryeministrit dhe ushtarakut të lartë. Përplasjet e Kapitenit të Rangut të parë Artur Mecollari me qeverinë e Berishës daton që në vitin 2012 kur mbrojtjen e drejtonte Arben Imami.

Artur Meçollari së bashku me Admiral Kudret Çelën u larguan nga detyra nga ish-ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, pasi kundërshtuan privatizimin e bazës së Bisht Pallës. Atë kohë Admirali Kudret Çela do të deklaronte se “Janë 75 hektarë që do të kalojë nga administrimi i ministrisë si një bazë detare në pronësi të një privati”. Këtë fakt e përforcon zëvendës ministri aktual i mbrojtjes Petro Koci i cili përmes një postimi në Facebook sqaron se “Mecollari u shkarkua vetëm 24 orë pasi bllokoi kalimin e Bazës së Bisht Pallës në duart e Damir Fazllicit dhe bashkëpunëtorëve të tij në klanin Berisha”. Pas kësaj ministri Arben Imami do të hidhte firmën mbi urdhërin Nr. 1691 date 04.10.2012 “Për dalje ne lirim te oficerit aktiv Z. Artur Mecollari.

Motivacioni lirimit ishte: “shkeljeve të akteve ligjore dhe nënligjore, kërkesave të disiplinës ushtarake, mos-ushtrimit të përgjegjësive e të detyrave”. Ky urdhër është nxjerrë në bazë të relacionit nr.977 datë 01.10.2012 të Shërbimit Informativ të Ushtrisë. Vendimi i ministrit Arben Imami do të ankimohej në Gjykatën Administrative në Tiranë. Vendimi kësaj gjykate i datës 05.08.2015 që disponohet nga Report tv me te cilim Gjyqtari Gentian Hamiti e quan të jashtë-ligjshëm urdhërin, thotë se “Pala e paditur nuk ka paraqitur asnjë provë mbi bazën e të cilit të provoj faktet e përshkruara në urdhërin e lirimit. Pra gjyqtari thekson se nga Ministria e Mbrojtjes nuk janë provuar shkeljet e pretenduara prej saj”.

Nga sa kuptohet, Ministria e Mbrojtjes nuk i paraqiti gjykatës as relacionin e SHIUt përmes të cilit u hartuar urdhëri i shkarkimit. Por çfarë përmban relacioni i SHIU-t? Nga burime jo zyrtare  janë siguruar disa detaje. Kapitenit të Rangut të parë Artur Mecollari është survejuar dhe përgjuar nga SHIU i dyshuar për spiunazh. Hetimi SHIU-t, ka mbledhur disa foto dhe video gjatë takimeve të Meçollarit me atasheun ushtarak të Holandës në Tiranë. Këto takime Meçollari i zhvillonte pasi atij i ishte ngarkuar mbikëqyrja e ndërtimit të tre anije luftarake ne nje baza ushtarake shqiptare dhe tenderi ishte fituar nga një kompani holandeze.

Pikërisht takimet e tij me atashehun e Holandës qe është një vend partner në NATO, në këndvështrimit e SHIU-t përbënin spiunazh. Por këto të dhëna të klasifikuara sekret që ishin dhe motivi largimit nga ushtria, asnjëherë nuk u bënë publike apo të përdoreshin në gjykatë kundra Artur Mecollarit. Burime pranë çështjes pohojnë se këto të dhëna nuk u paraqitën në gjykatë pasi do të diskreditonin Ministrinë e Mbrojtjes përballë shtetit të Holandës një vend anëtar i NATO-s dhe as nuk dihet nëse përgjimet ishin te ligjishme. Me këtë vendim gjykate në dorë, Artur Mecollari trokiti në Ministrinë e Mbrojtjes ku u ripranua në ushtri.

Falë ndjekjes së 3 akademive ushtarake në SHBA, Mecollari do të bëhej një prej drejtuesve kryesor të një misioni ushtarak në Afganistan. Mësohet se Meçollari krahas certifikatës së sigurisë shqiptare DSIK mban edhe certifikatën e sigurisë së NATOs e quajtur Cosmic Top Secret.

Mecollari u dekorua për kontributin e veçante në misionet ushtarake nga sekretari Përgjithshëm i NATOS Jens Stoltenberg. Ai vlerësohet si një ndër oficerët shqiptarë më të besuar nga SHBA të cilit besuan atij një mision delikat në Afganistan. Pikërisht për këtë mision Mecollari ka marrë falenderime të veçanta nga James Mattis, Sekretari amerikan i mbrojtjes.